Një djalosh australian ka një hobi jo të zakonshëm: atij i pëlqen që shpesh të shkojë në pyjet e Kuinslandit të veriut (North Queensland) pa asnjë send me vete, përveç rrobave të trupit dhe një kamera dixhitale në disa raste, për të jetuar në zona, ku shumë pak shkel këmba e njeriut. Ai zgjedh që të mbijetojë në gjirin e Nënës Natyrë, ashtu si njerëzit primitivë, duke ndërtuar kasolle të thjeshta me mjete pune, të cilat i përgatit vetë me shkopinj e gurë.
Siç mund ta vini re edhe në videon më poshtë, ai ka fituar një shkathtësi të jashtëzakonshme në aktivitetet, që ishin përditshmëria e njerëzve të hershëm. Me sa duket ky djalë do të ndihej goxha rehat edhe po të jetonte në periudhën e Paleolitit. Videot, që ai i filmon vetë duke ndërtuar kasolle dhe vegla primitive kanë fituar me miliona klikime në YouTube. Kjo për faktin se janë vërtet argëtuese për tu parë dhe gjithashtu të japin njëfarë ideje se si kanë jetuar paraardhësit tanë para mijëra vjetësh.
Link: https://www.youtube.com/watch?v=nCKkHqlx9dE
Burimi i lajmit dhe fotos: https://www.youtube.com/watch?v=nCKkHqlx9dE