Emrush Thaqi është producenti i mirënjohur i EmraCom. Ai është i fokusuar vazhdimisht te puna dhe gjithçka që ka lidhje me artin, e veçanërisht muzikën. Producenti i ka të rralla intervistat, pasi nuk pranon gjithmonë të intervistohet, por sot është një ditë e veçantë. Në ditëlindjen e tij, mundëm të ndajmë pak minuta bashkë, për të mësuar diçka më shumë rreth një njeriu të suksesshëm.
Kjo është intervista me të:
1. Jeni një prej producentëve më të suksesshëm, sa e vështirë ka qenë për të arritur deri këtu ku jeni sot?
Sigurisht që asgjë nuk arrihet lehtë. Askush nuk të fal asgjë. Ka pasur vështirësitë e veta kjo punë, ashtu si çdo punë tjetër, por përballë rezultatit sikur harrohen vështirësitë.
2. Për të qenë i suksesshëm, cili mendoni se është çelësi?
Përkushtimi. Nëse gjërat bëhen me përkushtim rezultati është gjithmonë i mirë.
3. A e gjeni të vështirë të menaxhoni artistët dhe cilat janë disa nga sfidat me të cilat përballeni?
Puna ka shpesh ato sfidat e veta, pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim. Ne jemi një grup kompakt, që në themel na lidh komunikimi. Nëse situatat e ndryshme diskutohen, nuk ka probleme.
4. “Gëzuar 2017” publikoi një sërë hitesh të suksesshme, a ka producenti këngën e tij më të preferuar?
Kësaj pyetjeje do t`i përgjigjem me një pyetje. A mund t`i ndajë prindi fëmijët? Kur punon për to me ekipin sigurisht, të cilit nuk mund t`i mohohen meritat, në fund e ke të vështirë të veçosh.
5. Viti i ri sapo ka nisur, a ka filluar puna për hitet e reja?
Sigurisht që po. Puna ka nisur për 2017-ën pa u mbyllur ende viti 2016. Duhet të jesh një hap përpara!