Lifestyle

E pabesueshme! Adriano Celentano feston sot 80 vjetorin

Adriano Celentano feston sot 80 vjetorin, është e pabesueshme dhe një mëkat i vërtetë që ikona të tilla të kulturës, përballen më kohën si gjithë të tjerët. Ato pika të forta referimi për të gjithë, një ditë, qoftë larg, nuk do të jenë më aty, por nuk do ketë asnjë grim hapësirë për trishtim, pasi vepra e lëne pas mbetet e pavdekshme.

Adriano lindi në 6 janar 1937 në Milano, në atë që u bë një nga rrugët më të famshme të muzikës italiane, në rrugën Gluck.
Fëmijë i dy prindërve puljez, ai shkon në shkollë dhe ndërkohë bën edhe punë të tjera, mes tyre edhe si orëndreqës.

Në maj të 1957, saktësisht në 18, djali i ‘Gluck Street’ që dashuronte rokun, merr pjesë në Pallatin e Akullit në Milano në festivalin e parë të rokut me grupin e tij Rock Boys, ku këndon “Ciao ti diro”.

Është ky fillimi i karrierës së tij, sepse këtu fiton konkursin dhe kontratën e tij të parë me një shtëpi diskografike.

Në 1959 falë ‘Il tuo bacio e come un rock’ arrin një sukses të jashtëzakonshëm duke shitur më shumë se 300 mijë kopje në vetëm një javë.

Në të njëjtin vit xhiroi filmin e tij të parë të suksesshëm ‘i ragazzi del juke-box’, me regji të Lucio Fulci, ku interpretonin edhe Fred Buscaglione, Betty Curtis e Tony Dallara.

Celentano është i martuar me Claudia Mori, që prej vitit 1964. Të dy u njohën në shesh xhirimet e ‘Uno strano tipo’, dhe të dy vazhdojnë edhe sot të jenë bashkë. Çifti u martua në fshehtësi të plotë në 1964 në kishën e San Francesco në Grosseto dhe nga martesa e tyre kanë tre fëmijë Rosita, Giacomo dhe Rosalinda.

Ndër protagonistët absolutë të kulturës italiane, këngëtar, aktor dhe showman, ylli i muzikës duket se s’ka ndërmend të dalë nga skena.

Adriano edhe pse në moshën 80 vjeçare vazhdon të jetë shumë aktiv me muzikën e tij, ku nuk mungojnë këngët e reja edhe bashkëpunimet. Ndër të fundit përmendim atë me Minën, Amami Amami.