ShowBiz

Florjan Binaj, sekretet e të qenit i suksesshëm në Portokalli: “Të shkosh si zombi…”

Një nga aktorët më të njohur të humorit shqiptar, Florjan Binaj ishte i ftuari special i puntatës së fundit të “Mos i fol shoferit” në Ora News.

Flori tregoi se në spektaklin “Portokalli” do të ndryshonte paraqitjen e aktorëve në skenë, duke e rralluar atë për të bërë gjëra interesante.

Florjan Binaj: Nuk do ndryshoja shumë gjëra sepse është një format që e ka rritur veten në këto 15 vite. Ajo që do na ndihmonte shumë do ishte të gjenim një formulë që të dilnim pak më rrallë. Psh, gjithë vitin por një javë po, një javë jo. Do na bënte shumë mirë, do bënim numra më cilësor. Ne çdo gjë që bëjmë, e bëjmë për 3 ditë. Ndoshta do ishte diçka që do na linte kohë të bënim gjëra më të mira, por do kishte të keqe që dembelët do bëheshin edhe më dembelë. Prandaj po rrimë akoma në këto shina.

Ai foli për punën e tij në “Portokalli” duke zbuluar se si ia bën që shpesh herë të cilësohet si sezoni i tij prej roleve të suksesshme që realizon.

Florjan Binaj: Besoj se nuk ka ndonjë sekret të madh, thjesht të punosh fort, të rrish netë pa gjumë, të shkosh si zombi në punë, të parkosh makinën, të të zërë gjumi në makinë një 10 minutësh, pastaj të çohesh të kujtohesh që ke për të punuar. Ky është sekreti. Një punë e pareshtur dhe ky kërkimi ndaj vetvetes, ndaj gjërave të reja, ndaj realitetit që na rrethon.

Ndër të tjera, ai rrëfeu se cili koleg e ndihmon në krijimin e teksteve, të cilat sjellin skece që shkaktojnë shumë të qeshura.

Florjan Binaj: Numrin e policave, ciftit të lumtur dhe babë e bir i shkruaj bashkë me Genin (Xhodën). Gjithashtu shkruaj numrin e Rezit, zonën e Brrylit, këtë kripë deti, këto numrat e këtyre dy viteve të fundit, plus dy korat, edhe Edi Ramën.

Rudina Dembacaj: Sa tekste në javë?

Florjan Binaj: 5-6-7.

Rudina Dembacaj: Sa personazhe ke në javë?

Florjan Binaj: Të përjavshëm ka 3. Ka raste që shkojnë 5, pastaj ka raste që luan mendsh sahati dhe shkon 7,8.

Link: https://youtu.be/y2UGpnCFP2A?t=1850

Burimi i fotos kryesore:  ©Ora News