Teksa shpallte nismën për mbledhjen e kontributeve për ta bërë me shtëpi Xheison Baftin, i cili me paraqitjet e tij këtë vit “Në Kurthin e Piter Pan” ka fituar zemrat e të gjithë telespektatorëve, moderatorja Alketa Vejsiu u përlot.
“Këto janë fjalë zemre. Gjatë këtyre ditëve jam përballur me të gjitha llojet e komenteve edhe pse u nisëm me mendimin që të bënim diçka të mirë për njërin nga fëmijët, shumë të dashur për ju, por edhe për ne. Dua të them një gjë të vërtetë të jetës sime personale, është e vërtetë unë kam jetuar në një shtëpi që fuste edhe ujë brenda dhe u rrita me besimin dhe dëshirën e madhe që të bëja diçka të mirë për jetën time. Punova dhe ia dola në një kuptim”, tha Alketa Vejsiu, e përlotur në transmetim live.
Në shtëpinë e Xheisonit jetojnë 6 pjesëtarë të familjes, 2 gjyshërit e moshuar, 2 prindërit dhe 2 fëmijët.
“Gjyshi i Xheisonit, që është një burrë në moshë të thyer, vazhdon e punon edhe sot e kësaj dite maleve të Krrabës, babai punon në jug të Shqipërisë dhe shtëpinë e ka ndërtuar gjyshi me forcat e tij 34 vite më parë. Dheu ka rrëshqitur, sepse është ndërtuar në mënyrë të thjeshtë shtëpia, një lëkundje tërmeti e ka rrënuar pothuajse fare dhe ju patë pamjet.”
Moderatorja e “Në Kurthin e Piter Pan” tha se sa do të kontribuojë edhe personalisht.
“Meqë çfarë nuk kam dëgjuar këtë javë, dua të them që një pjesë të mirë të pagës sime “Në Kurthin e Piter Pan” të këtij viti që ma akordon Tv Klan, unë e dhuroj personalisht për Xheison dhe familjen e tij. Kjo do të jetë e hapur, produksioni i këtij emisioni, Vera Grabocka, kolegët tanë, sigurisht kolegë shumë të mirë të Tv Klan, pronarët e tij, të gjithë jemi angazhuar që të japim kontributet tona.”
“Jam e bindur se diçka shumë të mirë shqiptarët për Xheisonin do ta bëjnë”, tha Alketa Vejsiu, duke publikuar edhe numrin e IBAN, ku të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë, mund të derdhin kontributin e tyre.
Burimi i fotos: https://www.youtube.com/watch?v=xMEOq825ZTA