Lifestyle

Dita e Tokës, ambjentalisti i njohur shqiptar jep mesazhin domethënës

Dita e tokës e themeluar në vitin 1970 në SH.B.A. Ngjarja vjetore bashkon miliona njerëz nga e gjithë bota në mbështetje të mjedisit, duke theksuar veprimin urgjent që duhet të ndërmarrim për të shpëtuar planetin tonë.

Është shumë e rëndësishme që ndërgjegjësimi i secilit prej nesh të jetë në çdo ditë të vitit dhe të sigurohemi që të bëjmë më të mirën për tokën dhe për vetën. Ambjentalisti i njohur Sazan Guri vjen me një thirrje të veçantë.

Mqs sot është dita ndërkombëtare e Tokës.

Toka nuk i përket njeriut, njeriu i përket tokës.

Si mund të blihet dhe të shitet qielli dhe ngrohtësia e tokës? Ne nuk jemi pronarë të freskisë së ajrit dhe kthjelltësisë së ujit. Çdo gjilpërë e ndritur pishe, çdo grimcë rëre në rrjedhën e lumit, çdo mjegullinë në errësirën e pyllit, janë të shenjta në mendimet dhe jetën e popullit tim.

Uji i kristaltë që rrjedh përrenjve dhe lumenjve, nuk është vetëm ujë, por edhe gjaku i gjyshërve tanë. Gurgullima e ujit është zëri i babait tend, i babait tim. Lumenjtë janë vëllezërit tanë, ata na shuajnë etjen, na ushqëjnë fëmijët.

Jemi pjesë e kësaj toke dhe ajo është pjesë e jona! Barërat erëmirë janë vëllezërit tanë. Dreri, kali, shqiponja e madhe, janë vëllezërit tanë. Majat e bleruara, kullosat e pasura, trupi i ngrohtë i ponit (kalit të vogël) dhe njeriu, të gjitha i përkasin të njëjtës familje.

Grykësia e tij (njeriut) do ta shkatërrojë tokën dhe pas tij do të lërë shkretëtirë. Ç’ka vlen jeta nëse njeriu nuk mund të dëgjojë klithmën e cjapit dhe llomotitjen e bretkosave në kënetë? Pasuria më e madhe e njeriut është ajri.

Ai siç duket nuk e vëren ajrin që thith. Për ne ajri është shumë i rëndësishëm. Ajri e ndan shpirtin e vet me jetën. Era që gjyshit tim i dha frymën e parë, do të marrë edhe frymën e tij të fundit. Nëse ju shesim tokën, duhet ta ruani si të shenjtë, si vend në të cilin edhe njeriu mund të thithë erën e ëmbëlsuar me erën e luleve të fushës.

Duhet të silleni ndaj kafshëve si ndaj vëllezërve tuaj. Çfarë është njeriu pa kafshë? Sikur të zhdukeshin kafshët, njeriu do të vdiste nga vetmia e shpirtit. Çfarëdo që t’i ngjajë kafshëve, së shpejti e gjen edhe njeriun. Gjithçka në këtë botë është e lidhur me njëra-tjetrën.

Duhet t’i mësoni fëmijët tuaj që nën këmbë kanë hirin e gjyshërve tanë dhe se toka është e pasuruar me jetën e stërgjyshërve tanë. Duhet t’i mësoni fëmijëve tuaj atë, që ne i kemi mësuar fëmijëve tanë, se tokën e kemi si nënë. Çfarëdo që t’i ndodhë tokës, do t’i ndodhë edhe fëmijëve të saj.

Linku: https://www.facebook.com/sazaniguri

Burimi i fotos: https://unsplash.com/photos/x8ZStukS2PM