ShowBiz

Nuk duron më, pas kritikave të shumta reagon më në fund Ermal Mamaqi

Aktori i humorit, Ermal Mamqi pak ditë më parë realizoi promovimin e librit të tij të parë të titulluar “Në garë me veten”.

Përveç përgëzimeve nga të afërmit dhe dashamirësit e tij, ndaj aktorit vërshuan dhe një val komentesh negative për të cilat ai ka bërë një reagim së fundmi.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram ai ka postuar disa nga komentet negative duke i shoqëruar me një shkrim të gjatë aspak ironik apo me humor.

Ndër të tjera aktori është shprehur se ndjen keqardhje për shoqërinë tone që paragjykojnë pa e kuptuar se çfarë fshihet pas daljeve televizive.

Nga ana tjetër komediani thotë se nuk e kupton përse libri i tij merret dhe komentohet si një sfidë nga shkrimtarëve pasi nuk është aspak i tillë, ndërsa sjell shembullin e futbollistëve, artistëve e trajnerëve si ai nëpër botë që botojnë shpesh të tilla libra, vetëm me një qëllim, për të ndarë eksperiencën e tyre me njerëzit dhe për t’i ndihmuar ata.

“Në librin “Në garë me veten”, nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam treguar copëza nga historitë e jetës sime, mësimet që kam marrë në trajnimet e shumta dhe reflektimet e mia personale nga gjithçka kam kaluar. Aty do të gjeni të rrëfyera me shumë sinqeritet, ngjarje që nuk i kam treguar asnjëherë më parë dhe kjo është bërë me qëllimin për të ndihmuar ata që gjenden në të njëjtat rrethana dhe vënë në dyshim veten nëse mund t`ja dalin.
Nuk e di pse kjo iniciativë shihet si një sfidë ndaj shkrimtarëve apo kandidaturave për “Nobel” në vitin e ardhshëm, kur unë nuk kam shfaqur ndonjë pretendim të tillë. Shihini gjërat kthjellët, ashtu si ato janë. Në librin tim madje mund të mësoni se si t`i menaxhoni më mirë emocionet dhe kjo do t’ju vlejë shumë. Kudo në botë, artistët, futbollistët, trajnerët e motivimit, ndajnë historitë dhe përvojat e tyre jetësore me të tjerë. Edhe ju, jeni po aq të lirë të shkruani, të realizoni gjithçka ju vjen në mend, pasi asnjë dëm nuk mund të vijë nga krijimtaria dhe aq më pak, nga një libër vetëzhvillimi.
Uroj shumë që kohën tuaj ta përdorni në mënyrë më produktive (ashtu si unë kur realizoj projektet e mia) dhe nëse doni të dini diçka më shumë edhe për këtë, mund të gjeni disa këshilla të shkruara në libër.
Bëhuni versioni juaj më i mire. Përqafime për të gjithë nga Ermali”
, shkruan aktori në postimin e tij.

Linku: https://www.instagram.com/ermalmamaqiofficial/

Burimi i fotos: https://www.instagram.com/p/Ck1FB5QDnha/?utm_source=ig_web_copy_link