Aktualitet

Tragjedi në Turqi! Tërmeti shkatërrimtar u merr jetën qindra personave

Një tërmet i fuqishëm ka goditur Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë, duke vrarë më shumë se 500 njerëz teksa flinin dhe duke bllokuar shumë të tjerë.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA tha se tërmeti me magnitudë 7.8 goditi në orën 04:17 me orën lokale (01:17 GMT) në një thellësi prej 17.9 km (11 milje) pranë qytetit të Gaziantep.

Zëvendëspresidenti turk Fuat Oktay tha se numri i të vdekurve në Turqi tani është rritur në 284 persona.

Në Siri, më shumë se 230 njerëz u vranë, njoftuan mediat shtetërore.

Ministria siriane e shëndetësisë tha se njerëzit kishin vdekur në provincat e Aleppo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Ekziston frika se numri i vdekjeve do të rritet ndjeshëm në orët në vijim.

Shumë ndërtesa janë shembur dhe ekipet e shpëtimit janë vendosur për të kërkuar të mbijetuarit nën grumbuj të mëdhenj rrënojash.

Epiqendra e tërmetit ishte në rrethin Pazarcik të provincës Kahramanmaras. Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se janë prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis.

Në Gaziantep, të paktën 80 njerëz u vranë, thanë zyrtarët, ndërsa 70 vdiqën në Kahramanmaras.

Në provincën Malatya, në veri-lindje të Gaziantep, janë raportuar deri tani 47 persona të vrarë. Në Sanliurfa, në lindje, pati 18 vdekje. Të tjera vdekje u raportuan në vende të ndryshme, duke përfshirë Diyarbakir dhe Osmaniye.

Të paktën 2323 persona u plagosën në Turqi dhe 639 në Siri.

Një korrespondent turk i BBC-së në Dijarbakir raportoi se një qendër tregtare në qytet u shemb.

Linku: https://www.bbc.com/news/world-europe-64533851

Burimi i fotos: freepik.com