Komediani, Pete Davidson ka hyrë në një program 18-mujor devijimi pas dënimit nga autoritetet e policisë, për ngasje të pakujdesshme.
Por, një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Los Anxhelosit ka zbuluar për PageSix, transmeton AlbanianPost, se nëse Davidson përmbush disa kushte, nuk do të ketë asnjë vepër penale në dosjen e tij.
Sipas kushteve të programit, Pete duhet të kryejë 50 orë shërbim në komunitet, të ndjekë 12 orë shkollë trafiku dhe të arsimohet në një spital ose morg për rezultatet e mundshme të drejtimit të pakujdesshëm.
Banori i Staten Island do të jetë në gjendje të ushtrojë orët e tij të shërbimit në komunitet në Departamentin e Zjarrfikësve të Nju Jorkut, ku babai i tij punonte përpara se të vdiste në tragjedinë e 11 shtatorit.
Siç është raportuar më parë, ylli i “Saturday Night Live” u përball me një akuzë për ngasje të pakujdesshme dhe kundërvajtje muajin e kaluar – problem ky që e pason përplasjen e tij me makinë në muajin mars në një rezidencë në Beverly Hills.
“Ne besojmë se Davidson u angazhua në ngasje të pakujdesshme, gjë që përfundimisht rezultoi në përfshirjen e tij në një përplasje të rëndë në një shtëpi”, u tha në deklaratë aso kohe.
“Fatmirësisht nga kjo përplasje askush nuk është lënduar rëndë. Ne e dimë se drejtimi i pakujdesshëm mund të ketë pasoja shkatërruese”, u tha tutje.
Natën e 6 marsit, Davidson, 29 vjeç, po ngiste një veturë të tipit Mercedes-Benz me një “shpejtësi të lartë”, kur automjeti kërceu nga një bordurë, goditi një hidrant zjarri dhe rrëshqiti nëpër një lëndinë përpara se të përplasej në cep të një shtëpie.
Ndonëse ai dhe e dashura e tij – 27-vjeçe, Chase Sui Wonders, e cila ishte pasagjere në atë kohë – u larguan pa u lënduar, fotot e pasojave treguan se një cep i shtëpisë ishte thyer, ndërsa këndi i përparmë i majtë i makinës së çiftit u shkatërrua nga përplasja.