Skenaristët e Hollivudit janë në grevë që prej muajit Maj. Kjo sepse ata kërkojnë një pagë më të mirë. Krah tyre me pankarta në duar kanë dalë dhe shumë aktorë të njohur.
Por, a e dinit se një prej tyre është dhe ish-skenaristja e serialeve “Freaks and Geeks” dhe “Friends”?! Të gjithë i kemi parë “Friends” dhe ndoshta e kemi menduar që ata që e kanë realizuar, po bëjnë ‘punën e ëndrrave’.
Në librin e saj më të fundit “Fund Credits”, ish-skenaristja Patty Lin shpjegon arsyet pse hoqi dorë duke na dhënë një pasqyrë ndryshe të produksionit. Libri i cili do të botohet me 29 Gusht me siguri do ‘trazojë ujërat’ e showbizzit dhe do nxjerrë në pah shumë sekrete.
Patty thotë se seriali “Friends” ishte një ofertë e parezistueshme, teksa përshkruan momentet e para kur nisi të punonte aty.
“Nuk ishte i thjeshtë, kisha dyshimet për punën time, qoftë dhe kur shkruaja batutat. Por, më pas me zhvillimin e personazheve gjërat u bënë më të thjeshta”, thotë ajo.
Në fillim, Patty mendoi se atë e punësuan vetëm sepse ishte me origjinë aziatike, në mënyrë që stafi të kishte ide të kulturave të ndryshme në organizimin e gjithë serialit.
Ish-punëdhënësi i saj, Judd Apatoq, e paralajmëroi: “Nuk do të mësosh aq shumë. Seriali ka 6 sezone tashmë, është si një makinë e re dhe luksoze.”
Viti 2000 e gjeti Patty-n në zyrat e studios bashkë me 14 skenaristë të tjerë, ku vetëm 5 prej tyre ishin gra.
“Ndihesha si peshk pa ujë, ata kishin eksperiencë”, thekson ajo.
Në takimin e tyre të parë, ata hëngrën darkë në një restorant me producentët dhe aty ajo kuptoi se stafi i këtij seriali ishte shumë ndryshe nga ç’kishte parë.
“Më kujtuan fëmijët e pasur nga shkolla ime që bënin pazar në dyqane të shtrenjta”, shkruan Patty, e cila në ditën e saj të parë në punë ishte e stresuar edhe se ku të ulej. Ajo përmend dhe dy drejtues të stafit, David Crane dhe Marta Kauffman, secilin për arsye të ndryshme.
“E para ishte punëtore dhe nuk kënaqej kurrë me asgjë, ndërsa David donte vazhdimisht ide të reja sepse ishim në sezonin e 7-të. Në grupet e punës, ndodhte shpesh që muhabeti përfundonte te seksi, nuk e di se si.”
Kjo nuk e shqetësonte aq shumë Lin në atë kohë, por ajo gjithmonë kishte pyetur veten se sa e vështirë ishte të ruash sensin e humorit. ‘Klima’ ishte e tillë që ajo mendonte se nëse nuk shkruante një skenar të mirë, automatikisht do të humbiste punën.
“Çdo episod ishte një proces i gjatë, torturues ku të gjithë aktorët do të duhej të mblidheshin së bashku, të lexonin skenarin, jepnin komentet e tyre për të, gjë që vononte më tej xhirimet. I rishkruaja gjërat, aq sa ndihesha e rëndësishme, aq dhe sikur kisha neveri për punën që po bëja. Shumë nga gjërat që shkruaja përfundonin në kosh, kjo vetëm sepse aktorët ndoshta nuk e interpretonin si duhej pjesën, dhe producentët na e hidhnin fajin ne.”
Gjithashtu sipas Patty-t, aktorët e serialit pothuajse kurrë nuk kishin asgjë të mirë për të thënë për skenarët dhe nuk shqetësoheshin kurrë për probleme lidhur me skenarin. Kur sezoni mori fund, kontrata e Patty-t nuk u rinovua.
“Isha e rraskapitur”, thotë ajo.
Më pas ajo vendosi të largohej nga Hollywood për disa vite, duke u rikthyer me serialin “Breaking Bad”, pasi vetëm atëherë ajo e kishte kuptuar se i pëlqente të shkruante skenare për seriale me pak dramë.
Sot vendimi më i mirë për të, ajo që pjesa tjetër e botës e konsideron si gjëja më e lavdërueshme që ka bërë në karrierën e saj, është ikja nga “Friends”.
Linku: https://www.instagram.com/impattyt/?hl=en
Burimi i fotos: https://www.instagram.com/impattyt/?hl=en