Inteligjenca artificiale po kontribuon në rënien e lirisë globale të internetit, sipas raportit vjetor të organizatës Freedom House, i cili zbuloi se liria globale e internetit shënoi rënie për të 13-tin vit radhazi. Për rënien e lirisë së internetit, raporti fajëson edhe mjetet më tradicionale të shtypjes, të përdorura nga regjimet autoritare.
“Nuk është befasuese që liria globale e internetit ra për të 13 vit radhazi këtë vit”, thotë Allie Funk, bashkëautore e raportit. “Përparimet në Inteligjencën Artificiale nga viti i kaluar po e thellojnë vërtet krizën e lirisë së internetit.”
Nga 70 vendet e analizuara në raport, të cilat përbëjnë 88 për qind të popullsisë së përdoruesve të internetit në botë, në 55 vende njerëzit u përballën me pasoja ligjore për shprehjen e pikëpamjeve në internet, duke pasqyruar një rënie globale të demokracisë.
I publikuar të mërkurën, raporti shpjegon se Kina ka mjedisin më të keq në botë për lirinë e internetit për të nëntin vit radhazi. Por Mianmari, i përfshirë nga një grusht shteti ushtarak dy vjet e gjysmë më parë, doli në vendin e dytë. Irani, ndërkohë, përjetoi rënien më të madhe të lirisë së internetit që nga viti i kaluar.
Inteligjenca Artificiale është në qendër të vëmendjes që kur kompania OpenAI nxorri në treg platformën ChatGPT gati një vit më parë. Që atëherë, përparimet e shpejta në Inteligjencën Artificiale kanë shtuar sfidat me të cilat përballet interneti, që tashmë ishte nën kërcënim prej vitesh.
“Ndërsa Inteligjenca Artificiale ka shumë përdorime vërtet të mira për shoqërinë, si në fushën e mjekësisë, përdorimi i saj po rrit edhe shkallën dhe efikasitetin e shtypjes dixhitale. Dhe kjo mund të shihet në fushat e përgjimit, censurës dhe dezinformimit”, tha zonja Funk për Zërin e Amerikës.
Shpresa ishte që programet si ChatGPT do të krijonin kushtet për përdoruesit e internetit që të anashkalojnë kontrollet e informacionit nga shteti dhe të kenë qasje në materiale të pacensuruara. Në vend të kësaj, “më shumë qeveri do të jenë të interesuara për të kontrolluar platformat e Inteligjencës Artificiale (si ChatGPT) dhe prodhimin e tyre”, thotë zonja Funk.
Disa qeveri po bllokojnë qasjen tek këto platforma, duke kontrolluar rezultatet e tyre dhe duke i detyruar kompanitë të përdorin Inteligjencën Artificiale për të hequr përmbajtjen nga platformat me një ritëm që njerëzit nuk mund ta kapin.
Një mënyrë tjetër se si qeveritë mund të përdorin këto platforma, që funksionojnë me Inteligjencë Artificiale, për të censuruar informacionet është duke kontrolluar drejtpërdrejt të dhënat e tyre të trajnimit.
“Kina është me të vërtetë pioniere në këtë qasje”, thotë zonja Funk.
Programet me Inteligjencë Artificiale të kompanive kineze, si Ernie Bot i kompanisë Baidu dhe Tongyi Qianwen i kompanisë Alibaba, janë të detyruar të zbatojnë kontrolle të rrepta të përmbajtjes dhe të sigurojnë “të vërtetën, saktësinë, objektivitetin dhe diversitetin” e të dhënave të trajnimit, të parashikuara me ligj nga qeveria e Kinës. Kjo do të thotë se kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme si Tajvani, Xinjiangu dhe Sheshi Tiananmen, këta platforma përsërisin propagandën shtetërore ose nuk ofrojnë asnjë informacion.
Ky manipulim i platformave të Inteligjencës Artificiale në Kinë po ndodh në një sfond të shtypjes më të gjerë në internet.
“Populli kinez jeton nën një sistem censurimi dhe mbikëqyrjeje që është më ekstrem se kudo tjetër në botë”, thotë Kian Vesteinsson, analist i çështjeve të teknologjisë dhe demokracisë në organizatën Freedom House.
Autoritetet në Kinë i përdorin këto mjete për të burgosur gazetarët dhe kritikët e tyre dhe për të hequr nga interneti përmbatjet kritike.
Linku: https://www.voanews.com/a/ai-accelerates-internet-freedom-decline-report-finds/7296234.html
Foto: Freepik.com