ShowBiz

Mbi 700 personalitete nga industria e argëtimit nënshkruan letër të hapur në mbështetje të Izraelit

Më shumë se 700 profesionistë të industrisë së argëtimit kanë nënshkruar një letër të hapur duke shprehur mbështetjen e tyre për Izraelin dhe duke dënuar Hamasin, ndërsa luftimet vazhdojnë në Lindjen e Mesme.

Gal Gadot, Amy Schumer, Mayim Bialik dhe Jerry Seinfeld ishin mes atyre që nënshkruan letrën që u publikua të enjten nga organizata jofitimprurëse e industrisë së argëtimit “Creative Community For Peace”.

Chris Pine, Liev Schreiber, Debra Messing dhe Mark Hamill ishin gjithashtu midis nënshkruesve, shkruan CNN, transmeton AlbanianPost.

Letra u bën thirrje udhëheqësve të industrisë së argëtimit që “të flasin fuqishëm kundër Hamasit dhe të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të nxitur organizatën terroriste që t’i kthejë pengjet e pafajshme në familjet e tyre”.

“Ky është terrorizëm. Kjo është e keqe. Nuk ka asnjë justifikim apo racionalizim për veprimet e Hamasit”, vazhdoi letra.

Izraeli ka raportuar se të paktën 1 mijë e 200 njerëz u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën në sulmet e Hamasit gjatë fundjavës.

Sipas autoriteteve izraelite, Hamasi gjithashtu mban peng rreth 150 persona në Gaza.

Të paktën 1 mijë e 537 njerëz, përfshirë 500 fëmijë dhe 267 gra, janë vrarë që kur Izraeli filloi sulmet në Gaza pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit të shtunën e kaluar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

“6 mijë e 612 persona të tjerë kanë pësuar lëndime”, shtoi ministria.

Letra përfshinte gjithashtu një paralajmërim që u kërkonte figurave publike në industrinë e argëtimit të “përmbahen nga shpërndarja e dezinformatave rreth luftës” dhe të shmangin përforcimin e çdo “propagande”.

“Mendimet tona janë me të gjithë ata që përjetojnë nivele të pamatshme frike dhe dhune dhe shpresojmë për ditën kur izraelitët dhe palestinezët të mund të jetojnë krah për krah në paqe”, përfundoi letra.

Gjatë kësaj jave, këngëtari kanadez, Justin Bieber, ka publikuar një postim në përkrahje të Izraelit, por imazhi i përzgjedhur, në fakt ishte i shkrepur në Palestinë. Kjo ka ngjallur kritika të shumta karshi tij – çka bëri ai që ta fshinte postimin.

Linku: https://edition.cnn.com/2023/10/12/entertainment/entertainment-leaders-support-israel/index.html

Foto: https://www.instagram.com/justinbieber/?hl=en