Business / Technology

Raporti: Inteligjenca Artificiale po kontribuon në rënien e lirisë në internet

Inteligjenca artificiale po kontribuon në rënien e lirisë globale të internetit, sipas raportit vjetor të organizatës Freedom House, i cili zbuloi se liria globale e internetit shënoi rënie për të 13-tin vit radhazi. Për rënien e lirisë së internetit, raporti fajëson edhe mjetet më tradicionale të shtypjes, të përdorura nga regjimet autoritare.

“Nuk është befasuese që liria globale e internetit ra për të 13 vit radhazi këtë vit”, thotë Allie Funk, bashkëautore e raportit. “Përparimet në Inteligjencën Artificiale nga viti i kaluar po e thellojnë vërtet krizën e lirisë së internetit.”

Nga 70 vendet e analizuara në raport, të cilat përbëjnë 88 për qind të popullsisë së përdoruesve të internetit në botë, në 55 vende njerëzit u përballën me pasoja ligjore për shprehjen e pikëpamjeve në internet, duke pasqyruar një rënie globale të demokracisë.

I publikuar të mërkurën, raporti shpjegon se Kina ka mjedisin më të keq në botë për lirinë e internetit për të nëntin vit radhazi. Por Mianmari, i përfshirë nga një grusht shteti ushtarak dy vjet e gjysmë më parë, doli në vendin e dytë. Irani, ndërkohë, përjetoi rënien më të madhe të lirisë së internetit që nga viti i kaluar.

Inteligjenca Artificiale është në qendër të vëmendjes që kur kompania OpenAI nxorri në treg platformën ChatGPT gati një vit më parë. Që atëherë, përparimet e shpejta në Inteligjencën Artificiale kanë shtuar sfidat me të cilat përballet interneti, që tashmë ishte nën kërcënim prej vitesh.

“Ndërsa Inteligjenca Artificiale ka shumë përdorime vërtet të mira për shoqërinë, si në fushën e mjekësisë, përdorimi i saj po rrit edhe shkallën dhe efikasitetin e shtypjes dixhitale. Dhe kjo mund të shihet në fushat e përgjimit, censurës dhe dezinformimit”, tha Funk:

Linku: https://eurasianet.org/artificial-intelligence-poses-a-serious-threat-to-internet-freedom-report

Foto: Freepik.com