Ylli i Hollivudit Matt Damon ka qenë së fundmi i ftuar në programin e CNN-it ku ka folur për dokumentarin “Kiss the Future”, i cili bazohet në jetët e njerëzve që kanë jetuar në Sarajevë gjatë periudhës së rrethimit nga okupatori.
“Është historia më emocionuese dhe në të vërtetë flet për atë se si drita fiton ndaj errësirës”, tha aktori.
Dokumentari i ri rrëfen për skenën muzikore që ka mbijetuar dhe ka lulëzuar në Sarajevën e shkatërruar nga lufta, që kulmon me koncertin legjendar të grupit U2 në kryeqytetin boshnjak.
Gazetarja legjendare dhe qytetare nderi e Sarajevës, Christiane Amanpour, ka bërë të ditur në profilin e saj në Twitter një pjesë nga programi i CNN-së ku e ka ftuar Matt Damonin, që është edhe producent i këtij dokumentari së bashku me Ben Affleck.