TikTok-u ka arritur ta ndajë opinionin publik më dysh.
Njëri krah kërkon lejimin e aplikacionit, por me kufizime e masa parandaluese, për t’i bërë ballë efekteve negative, të cilat në Shqipëri kanë marrë përmasa alarmante deri te vetëvrasja.
Një 41-vjeçare nga fshati Vardadhë i Sukthit në Durrësit i dha fund jetës duke pirë fotoksinë si pasojë e gjuhës së rëndë fyese e cenuese kundrejt saj në një profil të rremë në TikTok. Kurse në Kamëz, një 27-vjeçare u vetëhodh nga kati i katërt i një pallati, duke gjetur vdekjen, dhe shkak ishte publikimi i një fotografie intime të saj.
Kurse krahu tjetër, kërkon mbylljen e TikTok-ut, për të mos figuruar më askund.
Gjithë vorbulla e krijuar nga këto diskutime në sferën publike – dhe hetimet e njëpasnjëshme nga shteti në shtet kundrejt kësaj platforme të shumëndjekur – kanë ngritur gjithashtu shqetësime anembanë botës rreth privatësisë së të dhënave në të gjitha platformat e mediave sociale.
Çka ka ndezur edhe thirrje ngado për reforma ligjore për privatësinë e të dhënave.
Qeveritë që e kanë ndaluar TikTok-un nga pajisjet qeveritare kanë përmendur shqetësimet e sigurisë. Sipas tyre, qeveria kineze mund të urdhërojë kompaninë mëmë – ByteDance – të dorëzojë të dhënat që mbledh për përdoruesit.
Kështu, qeveritë perëndimore janë të bindura se nëse qeveria kineze mund të ketë akses në të dhënat e përdoruesve, interesat e sigurisë do të ekspozoheshin.
Mirëpo, përpos shqetësimeve që lidhen me privatësinë – si informacioni bazë i hyrjes (emri, mosha, numri i telefonit dhe adresa e email-it), të dhënat e vendndodhjes, adresa IP apo të dhënat biometrike – në Shqipëri shqetësimi parësor është përhapja e shantazhit online, veçanërisht në TikTok.
Ndaj thirrjet për të ndërmarrë masa janë edhe më të forta.
Linku: https://www.libdemvoice.org/should-social-media-use-be-curbed-for-under16s-74650.html
Foto:Freepik.com