Lifestyle

Ndryshimet klimatike rrezikojnë koralet

Zbardhja masive në Australi, në 8 vite fenomeni ka ndodhur 5 herë.

Verifikohet sërish zbardhja masive e barrierës koralore në Australi. Është hera e 5 që regjistrohet në 8 vitet e fundit dhe sipas autoriteteve që monitorojnë ekosistemin prej 2300 km, 2/3 e koraleve kanë shenjat e zbehjes, që mendohet si pasojë e një vale të nxehti në ujërat detare.

Sipas Autoritetit zbehja e ngjyrës së barrierës koralore, e përhapur në mënyrë uniforme dhe të zgjeruar në të gjitha zonat oqeanike jugore, po zgjerohet. Nga vrojtimet dhe matjet e kryera, koralet janë zbardhur edhe në thellësi, si pasojë e stresit termik, nga ngrohtësia nënujore që zgjat prej disa javësh.

Zbardhja e koraleve, ndodh kur uji qëndron me nxehtësi për shumë javë, duke shkaktuar ndryshime në sjelljen e koraleve, që largojnë algat që jetojnë në simbiozë me to, dhe duke ulur aftësinë e riprodhimit.

Gjatë vitit të fundit ky fenomen është vërejtur edhe në barriera të tjera koralore në zona të ndryshme të globit, dhe shkaku janë ndryshimet klimatike, që po rrezikojnë seriozisht mjedisin.

Linku: https://www.theguardian.com/environment/2024/mar/08/coral-bleaching-great-barrier-reef-australia

Foto:Freepik.com