Letërsia shqiptare dhe jo vetëm ka pësuar një humbje të thellë. Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Ai lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.
Shkrimtari u shqua kryesisht për prozë, por kontributi i tij u shtri edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Kadare filloi të shkruante kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.
Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princ i Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Viteve të fundit, ai e ndante kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Shpesh emri i tij u përfol për si një kandidat potenciale për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë. Në vitin 2005 fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Booker” ndërkohë ishte kandidat pretendent edhe për vitin 2024 me librin “Kur sunduesit grinden” i cili u vlerësua si një “meditim letrar magjepsës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit në një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj”.
Ismail Kadare la pas një arsenal me vepra madhështore nga pena e tij që do ta mbajnë gjallë ndër breza.
Linku: https://web.facebook.com/search/top/?q=ismail%20kadare%20
Burimi i fotos: https://web.facebook.com/ismailkadare1936