Një studim i ri shkencor sjell lajme inkurajuese për të gjithë ata që nuk e nisin dot ditën pa një filxhan kafe apo çaj. Sipas kërkimeve të fundit, konsumimi i moderuar i këtyre pijeve mund të lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës dhe me një funksion më të mirë të trurit me kalimin e viteve.
Studimi, i publikuar në një nga revistat më prestigjioze mjekësore, ka analizuar të dhënat e mbi 130 mijë personave për një periudhë shumë të gjatë, deri në 40 vite. Rezultatet tregojnë se personat që konsumojnë rregullisht kafe ose çaj me kafeinë kanë më pak gjasa të zhvillojnë probleme me kujtesën apo sëmundje neurodegjenerative krahasuar me ata që nuk i konsumojnë fare këto pije.
Sipas studiuesve, efekti mbrojtës është më i dukshëm tek ata që pinë rreth 2 deri në 3 filxhanë kafe në ditë, ose 1 deri në 2 filxhanë çaj. Në këto nivele, rreziku për demencë mund të ulet me rreth 15% deri në 20%.
Një detaj interesant është se përfitimet lidhen kryesisht me pijet që përmbajnë kafeinë. Kafeja pa kafeinë nuk ka treguar të njëjtin efekt mbrojtës, çka sugjeron se rolin kryesor e luan pikërisht kafeina, së bashku me substanca të tjera si antioksidantët dhe polifenolët, të cilët ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe stresit oksidativ në tru.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto rezultate nuk duhet të interpretohen si një “kurë” për demencën. Studimi është vëzhgues dhe nuk provon drejtpërdrejt shkak-pasojë. Faktorë të tjerë si dieta, aktiviteti fizik, gjumi dhe stili i jetesës luajnë një rol shumë të rëndësishëm në shëndetin e trurit.
Pavarësisht kësaj, rezultatet janë premtuese dhe sugjerojnë se zakonet e përditshme, si një filxhan kafe apo çaj, mund të kenë ndikim pozitiv në shëndetin.
Foto:Freepik.com