Një lajm i trishtë ka prekur botën e showbiz-it shqiptar. Këngëtarja e njohur Xhesika Polo po përjeton një tjetër moment të vështirë në jetën e saj personale, pasi ka humbur babain, vetëm pak vite pasi ishte ndarë nga jeta edhe nëna e saj.
Lajmi i dhimbshëm është bërë i ditur nga vetë artistja përmes rrjeteve sociale, ku ajo ka ndarë me ndjekësit dhimbjen e madhe për humbjen e një prej njerëzve më të rëndësishëm në jetën e saj. Babai i saj, Artur Polo, është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare, duke lënë pas një boshllëk të madh në familje.
Kjo humbje vjen në një periudhë që për Xhesikën mbart edhe kujtime të tjera të dhimbshme, pasi në vitin 2020 ajo humbi nënën e saj pas një beteje me një sëmundje të rëndë. Kështu, këngëtarja përballet sërish me një plagë të thellë, duke humbur dy shtyllat kryesore të jetës së saj brenda pak vitesh.
Artur Polo ka qenë një figurë shumë e rëndësishme për Xhesikën, jo vetëm si baba, por edhe si mbështetësi më i madh në rrugëtimin e saj artistik. Ai e ka ndjekur nga afër karrierën e së bijës, duke qenë gjithmonë pranë saj në çdo hap, si në skenë, ashtu edhe në jetën personale.
Publiku e kujton shpesh praninë e tij edhe në emisione televizive, ku ai shfaqej krenar për arritjet e vajzës. Një nga momentet më prekëse mbetet komunikimi i tyre gjatë pjesëmarrjes së Xhesikës në “Ferma VIP”, ku lidhja e fortë mes tyre u bë e dukshme për të gjithë.
Humbja e babait shënon një tjetër kapitull të dhimbshëm për këngëtaren, e cila prej vitesh ka ndarë me publikun jo vetëm sukseset, por edhe momentet më të vështira të jetës së saj. Mesazhët e ngushëllimit nuk kanë munguar nga miq, kolegë dhe ndjekës, të cilët kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për të në këtë periudhë të vështirë.
Një tjetër provë e fortë për Xhesika Polon, e cila tashmë duhet të përballet me mungesën e dy prindërve, por edhe me kujtimet e tyre që do ta shoqërojnë gjithmonë.
Burimi: https://www.instagram.com/xhesikapoloo/
Foto;https://www.instagram.com/xhesikapoloo/