Pas përfundimit të rrugëtimit në “Big Brother VIP Kosova 4”, ku u rendit i treti në finale, Ludo Lee ka dhënë intervistën e tij të parë televizive në emisionin “Ora Shtatë”, duke ndarë përvojën e tij pas daljes nga shtëpia më e famshme në vend.
Ai tregoi se ditët e para pas përfundimit të spektaklit nuk kanë qenë të lehta, pasi iu desh kohë për t’u përshtatur me jetën jashtë kamerave dhe me realitetin pas një eksperience kaq intensive.
Sipas tij, java e parë pas përfundimit të reality show-t ishte emocionalisht e ngarkuar, ndërsa rikthimi në jetën e përditshme kërkoi një periudhë adaptimi.
Gjatë intervistës, Ludo u ndal edhe te mënyra se si e kishte ndërtuar lojën e tij brenda shtëpisë. Ai theksoi se përvojat e jetës jashtë formatit e kishin ndihmuar shumë për të përballuar situatat dhe dinamikat që krijoheshin mes banorëve gjatë spektaklit.
Një mbështetje shumë e rëndësishme për të, sipas tij, ishte edhe familja. Ludo tregoi me emocion se vajzat e tij, edhe pse nuk flasin shqip, kishin arritur ta kuptonin lojën që ai po zhvillonte në shtëpinë e Big Brother.
“Vajzat nuk flasin shqip, por e kishin kuptuar shumë mirë lojën time. Madje edhe shoqet e tyre kishin qenë fanse të mia dhe i kishin thënë vajzës: ‘Babanë e ke si luan’”, rrëfeu ai gjatë intervistës.
Sa i përket marrëdhënieve me ish-banorët, finalisti i BBVK4 zbuloi se vazhdon të mbajë kontakte të mira me disa prej tyre, veçanërisht me Benitën, Edin dhe Londrimin.
Megjithatë, Ludo nuk e fshehu edhe zhgënjimin që ndjeu në natën finale. Ai pranoi se reagimi i tij në atë moment lidhej me faktin se besonte se kishte shanse të mëdha për të fituar edicionin e katërt të “Big Brother VIP Kosova”.
Pavarësisht kësaj, ai e cilësoi eksperiencën në shtëpinë më të famshme si një rrugëtim të rëndësishëm dhe të paharrueshëm, që i dha mundësinë të tregojë një anë tjetër të vetes para publikut.
Burimi; https://www.youtube.com/watch?v=O3Ta09A2adU
Foto; https://www.instagram.com/ludo_lee/?hl=en