Këngëtarja e njohur shqiptare, Fjolla Morina, ka bërë një rrëfim të rrallë dhe mjaft personal, duke folur hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj – kohën që kaloi në burg. E ftuar në emisionin e Meriton Mjekiqit, artistja nuk i shmangu pyetjet direkte dhe zgjodhi të ndajë për publikun përjetimet e saj gjatë qëndrimit dy mujor në Lipjan.
E pyetur konkretisht për eksperiencën e saj në burg, Fjolla e pranoi se bëhej fjalë për një periudhë të errët dhe sfiduese, por që tashmë i përket së kaluarës. Ajo theksoi se situata në të cilën u gjend nuk ishte rezultat i një veprimi të qëllimshëm, por i një rrethane që i ndodhi si artiste.
“Ajo ka qenë eksperiencë e keqe e imja të cilën unë e kam tejkaluar shumë rëndë. Unë si artiste, më ndodhi. Nuk kam hyrë për gjë të keqe, por për një situatë që më ndodhi”, u shpreh ajo, duke dhënë një këndvështrim reflektues mbi atë periudhë.
Megjithatë, ajo që ka surprizuar publikun është mënyra si këngëtarja e përshkroi jetën brenda burgut. Në kundërshtim me pritshmëritë, Fjolla tregoi se trajtimi që mori nga stafi ishte pozitiv dhe mbështetës.
“Kam kaluar shumë mirë, stafi aty më kanë respektuar, më kanë çmuar, më kanë veçuar. Janë kujdesur edhe në anën psikologjike. Kam kaluar shumë mirë, jo keq”, u shpreh ajo, duke nënvizuar se përvoja nuk ishte aq negative sa mund të mendohej.
Gjatë kësaj periudhe, artistja zgjodhi të fokusohej tek vetja dhe mirëqenia e saj mendore dhe fizike. Ajo tregoi se kishte kufizuar komunikimin me të tjerët dhe kishte zgjedhur të mbante një rutinë të rregullt.
“Pata zgjedh me qenë veç vet, më pak komunikime me njerëzit, vetëm me psikologët. Kam ushtruar, kam ngrënë me rregull, kam fjetur mirë”, rrëfeu ajo, duke treguar se e kishte shfrytëzuar këtë kohë si një moment reflektimi dhe vetëkujdesi.
Ky rrëfim vjen në një moment kur Fjolla Morina vazhdon të jetë në vëmendje edhe për jetën e saj personale, përfshirë lidhjen me biznesmenin Fisnik Syla. Përmes këtij rrëfimi, ajo ka treguar një anë më të ndjeshme dhe më njerëzore të vetes, duke lënë pas imazhin e zakonshëm të një figure publike dhe duke ndarë një histori personale të mbushur me sfida, por edhe me forcë për t’i kapërcyer ato.
Burimi: https://www.instagram.com/fjolla.morina/?hl=en
Foto: https://www.instagram.com/fjolla.morina/?hl=en