Lifestyle

Romantic young couple, relationship breakup

Fjalori i ri i takimeve: Pse të rinjtë po shmangin angazhimin emocional

Një analizë e fundit mbi mënyrën se si të rinjtë flasin për marrëdhëniet romantike tregon një ndryshim të dukshëm në kulturën e takimeve, ku gjuha e përdorur reflekton më shumë pasiguri dhe shmangie sesa qartësi dhe angazhim.

Sipas artikullit, në të kaluarën termat e lidhur me marrëdhëniet ishin të drejtpërdrejtë dhe të qartë, si “po dalim bashkë” apo “jemi në një lidhje serioze”. Këto shprehje nënkuptonin stabilitet dhe drejtim të qartë në raport. Ndërsa sot, fjalori i takimeve është mbushur me terma të rinj si “situationship” (marrëdhënie e paqartë), “ghosting” (zhdukje pa shpjegim) apo “soft launch”, që përshkruajnë lidhje të paformalizuara dhe komunikim indirekt.

Ekspertët theksojnë se ky ndryshim nuk është rastësor, por pasqyron mënyrën se si të rinjtë përballen me rrezikun emocional. Edhe pse shumë prej tyre shprehin dëshirën për lidhje të sinqerta dhe afatgjata, ata njëkohësisht përpiqen të mbrohen nga zhgënjimi dhe refuzimi.

“Shumica e njerëzve duan diçka të vërtetë, por nuk duan të lëndohen duke u përpjekur,” citohet një i ri 22-vjeçar në artikull.

Analiza identifikon tre prirje kryesore në fjalorin modern të takimeve:

Opsionaliteti, që lidhet me perceptimin se ka gjithmonë alternativa të tjera më të mira. Aplikacionet e takimeve dhe rrjetet sociale krijojnë ndjesinë e zgjedhjeve të pafundme, duke e bërë më të vështirë angazhimin serioz me një person të vetëm.

Paqartësia, ku marrëdhëniet mbahen qëllimisht të paemërtuara për të shmangur pritshmëritë dhe përgjegjësitë emocionale.

Dalja e lehtë, që nënkupton mundësinë për t’u tërhequr nga një lidhje pa shpjegime apo përballje, siç ndodh shpesh me fenomenin e “ghosting”.

Studimet e përmendura në artikull tregojnë se ky bollëk zgjedhjesh mund të ketë efekt të kundërt. Sa më shumë opsione të kenë individët, aq më e vështirë bëhet për ta të marrin vendime dhe të angazhohen. Ky fenomen, i njohur si “paradoksi i zgjedhjes”, rrit ankthin dhe ul kënaqësinë në marrëdhënie.

Në fund, ekspertët shtrojnë një pyetje të rëndësishme: nëse të rinjtë ende kërkojnë dashuri të vërtetë, pse gjuha e tyre po fokusohet gjithnjë e më shumë në shmangien e saj?

Ky ndryshim në mënyrën e të shprehurit mund të jetë një pasqyrë e kohës moderne, ku lidhjet janë më të ndërlikuara, ndërsa nevoja për mbrojtje emocionale mbetet po aq e fortë sa dëshira për dashur.

Burimi: https://www.psychologytoday.com/us/blog/consciously-creating-your-soul-life/202603/the-new-dating-dictionary-0

Foto: