Nisja e ditës me energji dhe qetësi nuk kërkon një rutinë të komplikuar me shumë hapa. Ekspertët e shëndetit theksojnë se vetëm dy zakone bazë mund të bëjnë diferencën për mirëqenien fizike dhe mendore: drita natyrale dhe hidratimi.
Sipas një artikulli të publikuar nga Health.com – The Ideal Morning Routine for Sustained Energy All Day, ekspozimi ndaj dritës natyrale në 30–60 minutat e para pas zgjimit është thelbësor për rregullimin e ritmit cirkadian – ora biologjike e trupit që kontrollon gjumin, energjinë dhe humorin.
Ekspertët shpjegojnë se drita e mëngjesit ndihmon në uljen e melatoninës (hormoni i gjumit) dhe rrit nivelin e vigjilencës, duke përmirësuar fokusin dhe cilësinë e gjumit gjatë natës. Edhe në ditët me re, drita jashtë është shumë më efektive sesa ajo artificiale.
Zakoni i dytë thelbësor është hidratimi menjëherë pas zgjimit. Pas disa orësh gjumë, trupi është i dehidratuar dhe ka nevojë për ujë për të rifituar balancën. Sipas ekspertëve, pirja e ujit para kafes ndihmon në përmirësimin e energjisë, funksionit të trurit dhe metabolizmit.
Madje, studimet tregojnë se edhe dehidratimi i lehtë mund të ndikojë në përqendrim, humor dhe performancë mendore, duke e bërë këtë zakon të thjeshtë një faktor kyç për një fillim më të mirë të ditës.
Specialistët theksojnë se këto dy hapa funksionojnë sepse ndikojnë drejtpërdrejt në biologjinë e trupit: drita sinkronizon orën e brendshme, ndërsa uji ndihmon në stabilizimin e proceseve fiziologjike.
Në një kohë kur shumë njerëz ndihen të detyruar të ndjekin rutina të komplikuara “perfekte”, ekspertët japin një mesazh të qartë: një mëngjes i shëndetshëm nuk ka pse të jetë i vështirë. Ndonjëherë, gjërat më të thjeshta janë edhe më efektivet.