Lifestyle

Pse humbasim orë të tëra gjumi duke parë telefonin? Shpjegimi i ekspertëve

Pas një dite të gjatë dhe të lodhshme, gjumi duket si zgjidhja më e natyrshme. Megjithatë, për shumë njerëz ndodh e kundërta: ata zgjedhin të qëndrojnë zgjuar duke kaluar kohë në telefon, rrjete sociale apo duke parë seriale. Ky fenomen njihet në shkencë si “shtyrja e kohës së gjumit”.

Termi u prezantua për herë të parë në një studim të vitit 2014 dhe përshkruan një sjellje gjithnjë e më të përhapur: vonimin e gjumit pa ndonjë arsye të jashtme. Sipas ekspertëve, më të prekur janë personat me orare të ngarkuara, si prindërit, studentët dhe profesionistët, por edhe ata që vuajnë nga pagjumësia apo çrregullime si ADHD.

Psikologia e gjumit, Lynelle Schneeberg, shpjegon se kjo ndodh sepse shumë njerëz përpiqen të “rikuperojnë” kohën personale në fund të ditës. Edhe pse të lodhur, ata zgjedhin të qëndrojnë zgjuar për të bërë diçka për veten, qoftë edhe thjesht duke shfletuar telefonin.

Megjithatë, ky zakon ka pasoja serioze për shëndetin. Sipas mjekes së gjumit, Dr. Safia Khan, qëndrimi zgjuar kur trupi ka nevojë për pushim prish ritmet biologjike, duke ndikuar negativisht në sistemin hormonal, kardiovaskular dhe atë të frymëmarrjes.

Pasojat mund të përfshijnë tension të lartë, rritje të nivelit të sheqerit në gjak, ankth, depresion, lodhje kronike dhe probleme me kujtesën. Në raste të zgjatura, mungesa e gjumit krahasohet me efektet e konsumimit të alkoolit në aftësinë për të reaguar.

Një tjetër arsye lidhet me gjendjen emocionale. Sipas një studimi të publikuar në vitin 2023 në British Journal of Health Psychology, shumë njerëz e shtyjnë gjumin për të shmangur mendimin për ditën e nesërme dhe sfidat që i presin.