Fituesja e “Big Brother VIP 5”, Selin Bollati, ka reaguar publikisht ndaj aludimeve që kanë qarkulluar për babain e saj, duke i hedhur poshtë kategorikisht pretendimet se ai ndodhet në burg.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, Bollati sqaroi se mungesa e të atit në finalen e spektaklit ka nxitur keqkuptime dhe komente të shumta, por theksoi se realiteti është krejt ndryshe.
“Babi ka qenë shumë optimist për gjendjen time. Kemi folur shkurtimisht çdo ditë. Ai ndodhet jashtë vendit, jeton dhe vepron atje dhe gëzon liri të plotë. Nuk është në burg. Arsyeja pse nuk erdhi është për shkak të problemeve me dokumentacionin, pasi është në pritje të tyre,” u shpreh ajo.
Gjatë intervistës, në studio u shfaq edhe një foto e babait të saj, ku ai imitonte gjestin viral të Selinit gjatë qëndrimit në reality show, moment që u prit me reagime nga të pranishmit.
Deklaratat e saj rikthyen vëmendjen mbi jetën private të fitueses së BB VIP 5 dhe diskutimet që e kanë shoqëruar pas përfundimit të spektaklit. Megjithatë, Bollati këmbënguli se gjithçka është keqinterpretuar dhe kërkoi që publiku të mos spekulojë më tej mbi këtë çështje.