ShowBiz

Emilia Clarke rrëfen momentet e errëta pas dy hemorragjive në tru: “Mendova se nuk do t’ia dilja”

 Aktorja britanike Emilia Clarke ka folur hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së saj, duke treguar se si dy hemorragji në tru gjatë kohës së xhirimeve të serialit të famshëm “Game of Thrones” e bënë të mendonte se ishte pranë vdekjes.

Në një intervistë emocionale në podcast-in “How To Fail with Elizabeth Day”, 39-vjeçarja rrëfeu se pas hemorragjisë së dytë jetonte me frikën e vazhdueshme se mund të mos mbijetonte. Aktorja pranoi se për një kohë të gjatë ishte e bindur se ishte “e destinuar të vdiste”, ndërsa ankthi dhe pasiguria e shoqëronin çdo ditë.

Clarke, e njohur në mbarë botën për rolin e Daenerys Targaryen, tregoi se episodi i parë ndodhi menjëherë pas përfundimit të sezonit të parë të serialit. Gjatë një stërvitjeje në Londër, ajo u rrëzua papritur dhe përjetoi një dhimbje të fortë në kokë.

“Mënyra më e afërt për ta përshkruar është si një elastik që këputet rreth trurit. Ishte një presion i çmendur”, u shpreh aktorja.

Ajo kujtoi se në ato momente e kuptoi menjëherë se diçka serioze po ndodhte me shëndetin e saj.

“Në atë moment e dija se po pësoja dëmtim në tru”, tha Clarke, duke shtuar se frika më e madhe ishte se mos humbiste karrierën dhe identitetin e saj profesional. “Isha shumë e turpëruar… nuk doja që askush ta dinte.”

Pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale, aktorja u përball edhe me një aneurizëm të dytë, e cila kërkoi një tjetër operacion urgjent. Ajo kujtoi me emocione momentin kur mjekët u kishin thënë prindërve të saj se gjendja ishte kritike.

“Prindërit e mi po prisnin për mua dhe mjekët po thoshin: ‘Mendojmë se ajo do të vdesë.’”

Emilia Clarke tregoi se pas gjithë kësaj periudhe u mbyll emocionalisht dhe humbi kujdesin për veten.

“Nuk u kujdesa për veten… gjithçka dukej si: ‘Ti dështove.’ Ndihesha thellësisht e vetmuar dhe e thyer emocionalisht.”

Sot, aktorja thotë se përvoja e ka bërë më të fortë dhe më të vetëdijshme për rëndësinë e shëndetit mendor dhe fizik. Ajo është kthyer në një zë aktiv për ndërgjegjësimin mbi dëmtimet në tru dhe mbështetjen e personave që përballen me situata të ngjashme.

Burimi; https://people.com/emilia-clarke-says-she-thought-she-was-going-to-die-after-brain-hemorrhages-11734869/

https://www.instagram.com/emilia_clarke/Foto: