ShowBiz

Nora Malaj flet për Mozën dhe raportin me Zhakun: Në kontekstin e njohjes, mund të ketë gënjyer

E ftuar në emisionin “Ferma Club”, pedagogia dhe ish-deputetja Nora Malaj ka ndarë mendimet e saj për rrugëtimin e Moza Ahmetit në “Ferma VIP”, duke zbuluar se ka qenë ndër personat që e ka inkurajuar të bëhej pjesë e formatit.

Malaj rrëfeu se Moza e kishte konsultuar përpara hyrjes në reality show dhe kishte kërkuar mendimin e saj për këtë sfidë të re.

“Kur më tha që do të hynte në fermë, e mbështeta menjëherë. Madje, bashkë me Arjan Currin, i dhamë bekimin tonë për t’u bërë pjesë e formatit”, tregoi ajo.

Sipas Malajt, Moza përfaqëson një brez që ka sfiduar paragjykimet dhe ka qenë gjithmonë përpara kohës së vet.

“Ka qenë avangardë në një periudhë kur shumë njerëz nuk guxonin të dilnin kundër tabuve. Është një grua me shpirt të lirë, që thotë gjëra që të tjerët shpesh kanë frikë t’i shprehin”, u shpreh ajo.

Duke komentuar sjelljen e Mozës brenda fermës, Malaj tha se publiku po njeh një anë më njerëzore të saj, duke shtuar se ajo ndodhet vazhdimisht mes rolit publik dhe realitetit personal.

“Moza po shfaqet në dimensionin e saj njerëzor, me të gjitha ndjesitë, mungesat dhe dëshirën për të sfiduar kohën. Por në situata të tilla duhet kujdes, sepse kur tejkalohet masa, efekti mund të jetë i kundërt”, tha Malaj.

Ajo reagoi edhe ndaj kritikave se Moza ka shfaqur herë pas here sjellje dominuese ndaj banorëve të tjerë.

“Moza nuk ka hyrë aty për të dhënë leksione komunikimi. Kur të tjerët e kalojnë kufirin, ajo ose hesht, ose reagon në të njëjtën mënyrë. Është njeri si të gjithë të tjerët dhe e kupton edhe kur gabon”, u shpreh pedagogia.

Një nga temat që ngjalli më shumë interes ishte raporti i diskutuar mes Mozës dhe Zhakut. E pyetur nëse Moza ka qenë e sinqertë kur ka deklaruar se nuk e njihte Zhakun jashtë fermës, Malaj dha një përgjigje që lë vend për interpretime.

“Këtë nuk mund ta them me siguri. Ndoshta ajo e ka pasur fjalën që nuk e ka mike. Njohja dhe miqësia janë dy gjëra të ndryshme. Nëse e ka thënë në kuptimin e miqësisë, nuk gënjen. Por nëse flasim për njohje, atëherë mund të ketë gënjyer”, deklaroi Nora Malaj.

Deklarata e saj ka shtuar më tej diskutimet rreth raportit mes dy fermereve, një çështje që vazhdon të jetë ndër më të komentuarat nga publiku i “Ferma VIP”.

Burimi;https://www.instagram.com/p/DTlY5OpDIHb/?hl=en

Foto;https://www.instagram.com/p/DTlY5OpDIHb/?hl=en