Fabrice Morvan, një nga emrat e njohur të grupit legjendar Milli Vanilli, është bërë artisti i radhës që ka vendosur të tërhiqet nga koncertet e planifikuara në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këngëtari dhe balerini francez konfirmoi për mediat amerikane se nuk do të marrë pjesë në eventin “Freedom 250”, duke theksuar se dëshiron të qëndrojë larg debateve politike.
“Jam këtu për të bashkuar njerëzit me muzikë. Nuk jam i përfshirë në politikë, kështu që po e them për herë të parë se nuk do të marr pjesë”, deklaroi Morvan.
Artisti 60-vjeçar shpjegoi se fillimisht kishte pranuar ftesën pasi e konsideronte si një mundësi të veçantë për t’u rikthyer në vendin ku kishte mësuar disa nga mësimet më të rëndësishme të jetës dhe karrierës së tij.
“Amerika më ka mësuar shumë gjëra – nga puna e palodhur dhe këmbëngulja, deri te besimi në vetvete dhe të menduarit në shkallë të gjerë. Për mua ishte një moment i veçantë dhe emocional”, tha ai.
Megjithatë, Morvan tregoi se filloi të kishte dyshime pasi mësoi se reperi Young MC kishte anuluar pjesëmarrjen e tij në të njëjtin event.
“Mendova: Pse po tërhiqet? A di ai diçka që unë nuk e di? Më pas pashë që edhe artistë të tjerë nisën të largoheshin njëri pas tjetrit”, u shpreh ai.
Sipas Morvan, organizatorët e kishin siguruar se eventi nuk kishte lidhje politike dhe se synimi i tij ishte vetëm argëtimi dhe bashkimi i njerëzve përmes muzikës.
“Unë isha aty për të bashkuar njerëzit, për t’i bërë të kujtonin kohët e vjetra dhe për të festuar jetën. Shumë nga ata që do të merrnin pjesë kanë qenë aty kur muzika ime ishte në kulmin e saj. Ishte thjesht një mundësi për të kaluar mirë së bashku”, shtoi ai.
Tërheqja e Morvan vjen në një kohë kur disa artistë të tjerë kanë vendosur të mos marrin pjesë në aktivitetet që lidhen me festimet e 250-vjetorit të SHBA-së, duke nxitur diskutime të shumta në mediat amerikane.