Regjisori i njohur gjerman Wim Wenders ka njoftuar se po tërheq nga qarkullimi filmin e tij të vitit 1975, “Wrong Move”, pas kritikave që lidhen me paraqitjen e aktores Nastassja Kinski, e cila ishte vetëm 13 vjeç në kohën e xhirimeve.
Vendimi vjen pasi Kinski, sot 65 vjeç, kërkoi publikisht që filmi të rimontohej. Në një intervistë të fundit për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, ajo deklaroi se nuk ishte mbrojtur siç duhet gjatë realizimit të projektit.
“Ishte filmi im i parë, ai ishte regjisori im i parë dhe nuk më mbrojti”, u shpreh aktorja.
Pas deklaratës së saj, Wenders reagoi duke i kërkuar falje publike Kinskit dhe duke pranuar se ajo duhej të kishte marrë më shumë mbrojtje gjatë xhirimeve.
“E kuptoj që Nastassja Kinski duhej të ishte mbrojtur më mirë atëherë. Për këtë, të kërkoj falje ty, Nastassja, pa asnjë rezervë”, tha regjisori.
“Wrong Move” shënoi debutimin kinematografik të Kinskit, vajzës së aktorit të famshëm Klaus Kinski. Filmi ndjek historinë e një shkrimtari të ri, të interpretuar nga Rüdiger Vogler, i cili udhëton nëpër Gjermani dhe takon personazhe të ndryshëm, mes tyre edhe një akrobate adoleshente të luajtur nga Kinski.
Kontestimi lidhet me një skenë ku personazhi i saj shfaqet pa bluzë, një element që ka ngritur shqetësime serioze në dritën e standardeve moderne për mbrojtjen e të miturve në industrinë e filmit.
Wenders bëri të ditur se filmi do të hiqet nga të gjitha format aktuale të shpërndarjes, përfshirë platformat e transmetimit online dhe transmetimet televizive. Sipas tij, vepra do të mbetet e padisponueshme derisa të gjendet një zgjidhje që të pranohet nga të dyja palët.
Filmi aktualisht është në pronësi të organizatës jofitimprurëse Wim Wenders Foundation, e cila menaxhon trashëgiminë artistike të regjisorit. Vendimi i fundit ka nxitur diskutime të reja mbi përgjegjësinë e kineastëve dhe mbrojtjen e aktorëve të mitur në prodhimet filmike.
Burimi;https://www.sfgate.com/entertainment/article/wim-wenders-pulls-1975-film-over-nude-scene-with-22289726.php
Foto; https://www.instagram.com/wim89961/