ShowBiz

Brikena konfirmon ndarjen nga Mateo: “Çdo kujtim që kam krijuar deri më sot ka qenë i bukur”

Marrëdhënia mes Brikenës dhe Mateos, e cila nisi gjatë qëndrimit të tyre në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania”, duket se i përket tashmë së kaluarës. Ish-banorja e reality show-t ka folur për herë të parë publikisht rreth raportit të saj me Mateon, duke lënë të kuptohet se historia e tyre ka marrë fund.

Gjatë një interviste të veçantë me këngëtarin Blero, Brikena u përball me një pyetje direkte që lidhej me jetën e saj sentimentale. Fillimisht biseda u fokusua te karriera e artistit, jeta familjare dhe eksperiencat e tij personale, por në një moment Blero vendosi të ndryshojë rolet dhe t’i drejtojë vetë disa pyetje të ftuarës.

Pasi ndau mendimet e tij për martesat, përvojat jetësore dhe raportin me familjen, këngëtari e pyeti Brikenën pa dorashka për statusin e marrëdhënies së saj me Mateon.

“Ka marrë fund mes teje dhe Mateos?”, ishte pyetja që ngriti menjëherë interesin e publikut.

Në fillim, Brikena reagoi me humor, duke iu drejtuar Bleros me fjalët: “Ke nisur të bësh pyetje edhe ti?”, por më pas dha një përgjigje që u interpretua si konfirmim i ndarjes së tyre.

“Çdo kujtim që kam krijuar deri më sot ka qenë i bukur. Do të kem gjithnjë respekt për Mateon dhe gjithçka që kemi bërë bashkë”, u shpreh ajo.

Megjithëse nuk dha më shumë detaje rreth arsyeve që çuan në fundin e lidhjes, deklarata e saj la të kuptohet se mes tyre nuk ka më një marrëdhënie romantike, por se vazhdon të ekzistojë respekti për kohën që kanë kaluar së bashku.

Historia e dashurisë mes Brikenës dhe Mateos u ndoq me interes të madh nga publiku gjatë eksperiencës së tyre në “Big Brother VIP Albania”, ku dyshja krijoi një lidhje që vazhdoi edhe pas përfundimit të spektaklit. Megjithatë, duket se rrugët e tyre tashmë janë ndarë, ndërsa Brikena ka zgjedhur ta kujtojë këtë kapitull të jetës së saj me mirënjohje dhe respekt.

Burimi;https://www.instagram.com/itsbriki/

Foto;https://www.instagram.com/itsbriki/