Justin Bieber mund të jetë një nga emrat më të mëdhenj që do të ngjitet në skenën e finales së Kupës së Botës 2026, teksa raportimet e fundit bëjnë të ditur se këngëtari kanadez është në negociata me FIFA-n për të performuar në spektaklin që do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin MetLife në New Jersey.
Sipas TMZ, zyrtarët e FIFA-s po shqyrtojnë përfshirjen e Bieber në një formacion artistësh ku përfshihen emra të njohur si Madonna, Shakira dhe grupi koreano-jugor BTS.
Spektakli pritet të prezantohet nga Chris Martin, vokalisti i grupit Coldplay, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt për miliona shikues në mbarë botën. Në program do të marrin pjesë edhe personazhet e njohur të Sesame Street dhe The Muppets, duke i dhënë finales një atmosferë festive për të gjitha moshat.
Justin Bieber ishte gjithashtu pjesë e aktiviteteve të Kupës së Botës edhe në ceremoninë hapëse të zhvilluar në Inglewood, ku u shfaq së bashku me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber. Gjatë eventit, ai surprizoi të ftuarit VIP me një performancë intime të këngës “Yukon” në prapaskenë.
Ceremonia hapëse e Botërorit u karakterizua nga një ndërthurje e muzikës moderne dhe traditës, me Shakira dhe Burna Boy që interpretuan këngën zyrtare të turneut, “Dai Dai”.
Në skenë u ngjitën gjithashtu artistë të njohur si J Balvin, Alejandro Fernández, Belinda, Danny Ocean, Lila Downs, Los Ángeles Azules, Maná dhe këngëtarja jugafrikane Tyla.
Ndërkohë, ceremonia e zhvilluar në Toronto, përpara ndeshjes Kanada – Bosnjë dhe Hercegovinë, solli performanca nga Michael Bublé dhe Alanis Morissette, të shoqëruar nga artistë si Alessia Cara, Jessie Reyez, Nora Fatehi, Elyanna, Sanjoy, Vegedream dhe William Prince.
Edhe pjesa amerikane e ceremonisë hapëse dhuroi një spektakël të madh, me Katy Perry dhe Future si emrat kryesorë të mbrëmjes, ndërsa në skenë performuan edhe Anitta, LISA, Rema dhe sërish Tyla.
Nëse negociatat përfundojnë me sukses, Justin Bieber do të jetë një nga yjet kryesorë të spektaklit të finales së Kupës së Botës FIFA 2026, një prej ngjarjeve sportive dhe muzikore më të ndjekura në botë.
Burimi;https://www.instagram.com/lilbieber/
Foto; https://www.instagram.com/lilbieber/