Lifestyle

Studimi ngre alarmin: Infertiliteti te gratë po rritet në mbarë botën, mbi 53 milionë të prekura

Një studim i ri ndërkombëtar ka ngritur shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të infertilitetit te gratë, duke treguar se aktualisht rreth 53.6 milionë gra të moshës 35–49 vjeç në mbarë botën përballen me vështirësi për të mbetur shtatzënë.

Hulumtimi, i realizuar nga studiues të Universitetit Mjekësor të Chongqing, analizoi të dhëna nga 204 vende për periudhën 1990–2023. Sipas rezultateve, barra globale e infertilitetit është rritur ndjeshëm gjatë tre dekadave të fundit dhe pritet të vazhdojë të rritet edhe në vitet në vijim.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore The Lancet Obstetrics, Gynaecology, & Women’s Health, tregon se rritja më e shpejtë e rasteve pritet të regjistrohet te gratë e moshës 35–39 vjeç. Ekspertët sqarojnë se kjo nuk do të thotë se ky grupmoshë është më infertil se gratë më të mëdha në moshë, por se numri i rasteve po shtohet më shpejt.

Sipas autorëve, një nga arsyet kryesore lidhet me shtyrjen e krijimit të familjes për shkak të studimeve, zhvillimit të karrierës dhe faktorëve ekonomikë. Në shumë raste, kur gratë vendosin të kenë fëmijë, fertiliteti ka nisur tashmë të bjerë si pjesë e procesit natyral të plakjes.

Studiuesit theksojnë se edhe faktorë si obeziteti, stresi dhe ndryshimet në stilin e jetesës mund të ndikojnë negativisht në fertilitet. Nga ana tjetër, përmirësimi i aksesit në shërbimet dhe trajtimet e fertilitetit ka bërë që të diagnostikohen më shumë raste se më parë.

Parashikimet janë edhe më shqetësuese: deri në vitin 2036, numri i grave të prekura nga infertiliteti mund të arrijë në 79.6 milionë në nivel global.

Autorët e studimit nënvizojnë se infertiliteti nuk është vetëm një çështje mjekësore, por edhe një sfidë me ndikim të madh psikologjik, social dhe ekonomik. Për këtë arsye, ata bëjnë thirrje që kujdesi për fertilitetin të trajtohet si një prioritet i shëndetit publik, përmes diagnostikimit të hershëm, aksesit më të mirë në trajtime dhe politikave që mbështesin planifikimin familjar.