Dasma e supozuar e yllit të muzikës Taylor Swift dhe lojtarit të NFL-së, Travis Kelce, po përflitet si një nga ceremonitë më luksoze të organizuara ndonjëherë, me një kosto që, sipas raportimeve, tejkalon 25 milionë euro.
Sipas pretendimeve që kanë qarkulluar në media, ceremonia është zhvilluar në arenën ikonike Madison Square Garden në New York, e cila është transformuar plotësisht në një ambient intim dhe luksoz për këtë rast. Esther Lee, drejtoreshë editoriale e The Knot Worldwide, citohet të ketë vlerësuar se vetëm përshtatja e hapësirës ka kushtuar mes 4.4 dhe 8.8 milionë euro, ndërsa dekori dhe lulet mendohet të kenë arritur vlerën e rreth 4.4 milionë eurove.
Në dasmë thuhet se kanë marrë pjesë rreth 1.100 të ftuar, ndërsa shpenzimet për ushqimin, shërbimin dhe organizimin e ceremonisë vlerësohen të kenë qenë mes 2.2 dhe 2.6 milionë euro.
Raportimet pretendojnë gjithashtu se veshjet e çiftit, programi artistik dhe elementet e personalizuara të ceremonisë kanë kushtuar rreth 1.8 milionë euro. Për të ftuarit janë përgatitur edhe dhurata ekskluzive, përfshirë qirinj me aroma të personalizuara, suvenire me inicialet “T&T” dhe aktivitete të ndryshme gjatë mbrëmjes.
Mes emrave të njohur që thuhet se kanë qenë të pranishëm përmenden Gigi Hadid, Bradley Cooper, Dakota Johnson, Machine Gun Kelly dhe Kelsea Ballerini.
Sipas të njëjtave pretendime, Taylor Swift është shfaqur me një fustan të krijuar posaçërisht nga Christian Dior Haute Couture, ndërsa ceremonia është drejtuar nga aktori Adam Sandler.
Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar nga Taylor Swift, Travis Kelce apo përfaqësuesit e tyre për këto pretendime.