ShowBiz

Rita Ora rrëfen ritualet e gjyshes shqiptare: “Lexonte filxhanin e kafesë”

Rita Ora ka treguar se, mes ritmit të ngarkuar të punës dhe udhëtimeve të vazhdueshme, ka një objekt të veçantë që e mban pothuajse gjithmonë pranë vetes: një varëse të personalizuar me kristale.

Në një intervistë për The New York Times, këngëtarja me origjinë shqiptare ka zbuluar se varësja ishte dhuratë nga një prej shoqeve të saj më të ngushta, për ditëlindjen e saj të 34-të. Ajo është krijuar posaçërisht për Ritën dhe përmban disa lloje kristalesh, të zgjedhura sipas kuptimeve dhe energjive që u atribuohen.

Artistja ka shpjeguar se e përdor varësen si një mënyrë për të larguar stresin, për të ruajtur energjinë pozitive dhe për të qëndruar e përqendruar mes presionit të industrisë së argëtimit.

Varësja përmban citrin, kuarc të tymosur, ametist të gjelbër dhe kuarc të pastër. Rita pranoi se nuk mund të thotë me siguri nëse efekti që ndien është psikologjik, por theksoi se beson te energjia e kristaleve.

Ndoshta është thjesht mendore, por ndihem e mbrojtur. Ndihem më e qëndrueshme. Nuk e di nëse është placebo, por besoj se këto gjëra mbajnë energji dhe energjia është reale”, është shprehur ajo.

Këngëtarja tregoi se e vendos varësen sa herë që ka mundësi. Në rastet kur nuk përshtatet me veshjen e saj, Rita e mban në çantë, vetëm që ta ketë gjithmonë pranë.

Gjatë rrëfimit, Ora e lidhi këtë anë të saj me origjinën shqiptare dhe traditat familjare me të cilat është rritur. Ajo tregoi se bestytnitë kanë qenë gjithmonë të pranishme në familjen e saj, duke kujtuar veçanërisht ritualet e gjyshes.

Jam supersticioze. Mendoj se ne, evropianët lindorë, sidomos unë që vij nga një familje shqiptare, jemi rritur me bestytni”, tha Rita, duke shtuar se gjyshja e saj praktikonte rituale gjatë hënës së plotë dhe lexonte filxhanin e kafesë.

Ndërkohë, Rita Ora vijon të jetë e angazhuar në disa projekte muzikore dhe kinematografike, duke kombinuar xhirimet, koncertet dhe përgatitjet për muzikë të re.