Masat ajrore të nxehta që vijnë nga Veriu i Afrikës do të ndikojnë sërish në kushtet atmosferike në Shqipëri, duke sjellë një ditë me temperatura të larta dhe mot kryesisht të kthjellët.
Sipas MeteoAlb, orët e paradites do të dominohen nga intervale të gjata me kthjellime, më të theksuara përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat e ulëta të vendit.
Në pjesën e dytë të ditës pritet shtim i vranësirave në të gjithë territorin, ndërsa në zonat verilindore ato do të jenë më të dendura, duke sjellë edhe reshje të izoluara shiu.
Temperaturat do të shënojnë rritje, me vlerat minimale që do të zbresin në 13°C në Peshkopi, ndërsa maksimalet do të arrijnë deri në 36°C në shumë qytete të zonës së ulët.
Era do të fryjë me intensitet mesatar, me shpejtësi që mund të kalojë 55 km/h nga drejtimi veriperëndimor. Si pasojë, në brigjet detare pritet dallgëzim deri në 3 ballë.