Hollywood-i është përfshirë në një incident të madh sigurie kibernetike, pasi një rrjedhje e të dhënave nga Festivali Tribeca ka nxjerrë në pah informacione kontakti të mijëra personave të lidhur me industrinë e filmit.
Sipas ekspertit të sigurisë kibernetike, Jeremiah Fowler, u identifikuan gjithsej 666 mijë e 369 skedarë të ekspozuar, të cilët mbulonin periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2026. Mes materialeve të zbuluara raportohet se ndodheshin të dhëna që lidhen me aktorë, regjisorë dhe figura të tjera të njohura të botës së kinemasë.
Sipas revistës “Variety”, në bazën e të dhënave ishte ruajtur edhe një kopje rezervë, e cila përmbante informacione potencialisht të ndjeshme. Në një dosje të quajtur “contacts” ishin regjistruar 1 mijë e 535 kontakte, përfshirë emra, adresa, numra telefoni dhe email-e.
Në këtë listë përmendeshin emra të njohur të kinematografisë botërore, si Martin Scorsese, Francis Ford Coppola, Guillermo del Toro dhe Ron Howard, por edhe aktorë si Robert De Niro, Jennifer Lawrence, Angelina Jolie, Morgan Freeman, Rami Malek, Eva Mendes dhe Michael J. Fox.
Pas publikimit të rastit, organizatorët e Festivalit Tribeca reaguan duke deklaruar se problemi u adresua menjëherë sapo u identifikua. Sipas tyre, personat e përmendur në raportime nuk kishin të ekspozuara të dhëna personale të kontaktit.
“Shumica dërrmuese e informacionit përbëhej nga kontakte profesionale të disponueshme publikisht, përfshirë përfaqësues të marrëdhënieve me publikun, agjentë artistësh, adresa elektronike zyrtare, të dhëna nga faqja e festivalit dhe informacione të tjera tashmë publike”, thuhet në reagimin e festivalit.
Edhe vetë Jeremiah Fowler ka sqaruar se një pjesë e informacionit ishte e paplotë ose i përkiste asistentëve, menaxherëve dhe zyrave të marrëdhënieve me publikun, e jo domosdoshmërisht numrave privatë apo email-eve personale të yjeve të Hollywood-it.
Sipas ekspertit të sigurisë kibernetike, rrjedhja dyshohet se ka ardhur si pasojë e një gabimi njerëzor. Një kopje rezervë e bazës së të dhënave ishte lënë e aksesueshme publikisht dhe ruhej në format tekst të thjeshtë, pa asnjë formë enkriptimi.