ShowBiz

Sean “Diddy” Combs pritet të lirohet nga burgu më herët, pavarësisht incidentit të fundit

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs pritet të lirohet nga burgu më herët sesa ishte parashikuar fillimisht, pavarësisht raportimeve se së fundmi është përfshirë në një përleshje me një tjetër të burgosur.

Sipas të dhënave të fundit të Byrosë Federale të Burgjeve në SHBA, Combs, 56 vjeç, ka si datë të parashikuar lirimi 24 janarin e vitit 2028.

Kjo datë ka ndryshuar disa herë gjatë periudhës së fundit. Fillimisht, lirimi i tij ishte planifikuar për 8 maj 2028, ndërsa më pas u shty për 4 qershor të po atij viti, pas pretendimeve se ai kishte konsumuar alkool në burg dhe kishte kryer një telefonatë të paautorizuar. Avokati i tij i ka mohuar këto pretendime.

Më vonë, përmes përfitimeve që lidhen me reformën federale të sistemit penitenciar, të njohur si “FIRST STEP Act”, data e lirimit të tij u afrua fillimisht në 25 prill 2028 dhe më pas në 15 prill 2028.

Muajin e kaluar, data ishte caktuar për 23 shkurt 2028, ndërsa tani është zhvendosur edhe më herët, në 24 janar 2028.

Ndërkohë, raportimet për incidentin e fundit në burg bëjnë të ditur se Combs është përfshirë në një përleshje dhe është vendosur përkohësisht në izolim. Megjithatë, deri tani, kjo ngjarje nuk duket se ka ndikuar në datën e parashikuar për lirimin e tij.