Jennifer Lopez ka folur hapur për fëmijërinë, karrierën dhe vështirësitë që fama i ka sjellë në jetën sentimentale gjatë një interviste me prezantuesin amerikan Howard Stern.
Artistja 56-vjeçare tregoi se është rritur në lagjen Castle Hill të Bronx-it dhe se, në fëmijëri, e shihte veten më shumë si sportiste sesa si këngëtare. Ajo merrej me atletikë dhe tenis, ndërsa motra e saj e madhe konsiderohej këngëtarja e familjes.
Gjithçka ndryshoi kur Lopez nisi të merrte pjesë në shfaqjet muzikore të shkollës. Mbështetja e një mësuesi e ndihmoi të kuptonte se mund të ndërtonte një të ardhme në skenë.
“Dikush më tha: ‘Ti mund ta bësh këtë’”, kujtoi ajo, duke shpjeguar se filmat muzikorë dhe artiste si Barbra Streisand, Diana Ross dhe Rita Moreno u bënë burim frymëzimi për të.
Një nga momentet e para vendimtare të karrierës së saj ishte përzgjedhja si valltare “Fly Girl” në programin humoristik “In Living Color”, ku nisën rrugëtimin edhe emra të njohur si Jim Carrey dhe Jamie Foxx.
“Ishte diçka shumë e madhe. Mendova se ia kisha dalë. Për një valltare, ishte si të fitoje çmimin e madh”, tregoi Lopez.
Artistja foli edhe për performancën e vitit 2020 në finalen e kampionatit të futbollit amerikan, ku ndau skenën me Shakirën. Lopez pranoi se fillimisht ishte zhgënjyer që organizatorët nuk i kishin dhënë secilës artiste latine një spektakël më vete.
Megjithatë, me kalimin e kohës, ajo e ndryshoi këndvështrimin.
“Jam shumë krenare për atë Super Bowl dhe që e ndava skenën me Shakirën. Përfaqësuam diçka të rëndësishme: dy gra, nëna dhe artiste latine që mishëronin punën e palodhur”, deklaroi këngëtarja.
Gjatë bisedës, Jennifer Lopez u ndal edhe te marrëdhëniet sentimentale, të cilat prej vitesh kanë qenë në qendër të vëmendjes mediatike. Ajo pranoi se fama e bën më të vështirë krijimin dhe ruajtjen e një lidhjeje.
“Është e vështirë të jetosh nën një vëzhgim të tillë. Kur ke këtë nivel fame, duhet të bësh kompromise dhe përshtatje”, tha Lopez.
Duke reflektuar për lidhjet e kaluara, artistja u shpreh se tashmë ka kuptuar se problemet sentimentale nuk lidhen me faktin nëse ajo meriton apo jo të dashurohet.
“Ajo që kam mësuar është se nuk bëhet fjalë që unë nuk jam e denjë për dashuri, por se ata nuk kishin aftësinë për të dashuruar”, deklaroi ajo.
Pavarësisht zhgënjimeve, Lopez tha se vazhdon të besojë te dashuria, edhe pse në të ardhmen dëshiron ta mbrojë më shumë jetën e saj private.
Burimi;https://www.youtube.com/watch?v=bU9g9u3IR8Y
Foto;https://www.instagram.com/jlo/?hl=en