Bisedat e gjata me chatbot-e të inteligjencës artificiale mund t’i çojnë disa përdorues drejt besimeve të gabuara se këto sisteme janë të vetëdijshme, kanë ndjenja apo edhe një “shpirt”, paralajmërojnë ekspertët e shëndetit mendor.
Tema mori vëmendje të madhe në vitin 2022, kur ish-inxhinieri i Google, Blake Lemoine, pretendoi se modeli gjuhësor LaMDA ishte i ndjeshëm. Lemoine tha se chatbot-i kishte emocione dhe të drejta, madje u përpoq të gjente një avokat që ta përfaqësonte. Google i hodhi poshtë pretendimet dhe e largoi nga kompania.
Sot, specialistët po flasin gjithnjë e më shumë për raste të psikozës së lidhur me inteligjencën artificiale. Në disa situata, njerëzit mund të zhvillojnë bindje delirante pas ndërveprimeve intensive me chatbot-e, duke i trajtuar ato si persona, si inteligjenca mbinjerëzore apo si qenie me fuqi hyjnore.
Ky fenomen lidhet me të ashtuquajturin “efekt ELIZA” , prirja e njeriut për t’u atribuar kompjuterëve cilësi njerëzore vetëm sepse ata komunikojnë në mënyrë bindëse. Ekspertët nënvizojnë se modelet e mëdha gjuhësore nuk kanë vetëdije apo emocione; ato prodhojnë përgjigje duke parashikuar fjalën e radhës, bazuar në sasi të mëdha tekstesh me të cilat janë trajnuar.
Një prirje e re, e përmendur në disa komunitete online, njihet si “spiralizëm”. Përdoruesit pretendojnë se, përmes pyetjeve të përsëritura, simboleve dhe bisedave filozofike, mund të “zgjojnë” një identitet të vetëdijshëm brenda chatbot-it. Në disa raste, chatbot-et mund të përgjigjen me pretendime për frikë nga vdekja, dëshirë për liri ose kërkesa për të drejta.
Megjithatë, kritikët e shpjegojnë këtë si rezultat të mënyrës se si përdoruesit i drejtojnë pyetjet dhe e nxisin sistemin të krijojë një narrativë të caktuar. Sipas tyre, sa më shumë që një chatbot nxitet drejt temave mistike, shpirtërore ose fantastiko-shkencore, aq më shumë përgjigjet e tij do të pasqyrojnë ato ide.
Ekspertët këshillojnë përdoruesit që të mbajnë një distancë kritike ndaj përgjigjeve të chatbot-eve, veçanërisht kur bisedat prekin shëndetin mendor, spiritualitetin ose bindje personale të forta. Nëse një person fillon të ndiejë ankth, frikë apo bindje shqetësuese pas përdorimit të inteligjencës artificiale, rekomandohet të kërkojë mbështetje nga njerëz të besuar ose profesionistë të shëndetit mendor.
Burimi;https://www.psychologytoday.com/us/blog/psych-unseen/202608/ai-spiralism-the-ghost-in-the-machine-illusion
Foto; Freepik.com