Paris Jackson ka folur hapur për dy këngët e saj të reja, “breeze” dhe “just me and you”, të cilat duket se prekin marrëdhënien e saj me të atin e ndjerë, Michael Jackson.
Artistja i prezantoi projektet më 29 gusht, datë që do të shënonte ditëlindjen e këngëtarit legjendar. Krahas një fotografie të ëmbël nga fëmijëria, Paris sqaroi se këngët nuk janë thjesht një nderim për të atin.
“Nuk është tribut. Nuk është përkujtim. Nuk është një demonstrim i çfarëdo lloji. Është një letër. Është një poezi në formë muzikore. Është përvoja ime e sinqertë me dashurinë, humbjen dhe marrëdhëniet parasociale përballë një marrëdhënieje personale”, shkroi ajo.
Në një intervistë me Zane Lowe, Paris u shpreh krenare për projektin e ri, duke theksuar se po gjen gjithnjë e më shumë zërin e saj si autore dhe producente. Ajo tregoi se nuk ka ndjekur rregullat klasike të ndërtimit të një kënge, duke zgjedhur që njëra prej tyre të jetë si një letër dhe interpretim i afërt me “spoken word”, ndërsa tjetra të përmbajë vargje, refren dhe një pjesë instrumentale të pazakontë.
Megjithatë, 28-vjeçarja theksoi se nuk dëshiron të shpjegojë çdo kuptim të teksteve. Sipas saj, këto dy këngë nuk synojnë të japin një mesazh të drejtpërdrejtë dhe pjesën tjetër të historisë preferon ta mbajë për vete, të paktën për momentin.
Tekstet e “breeze” dhe “just me and you” kanë nxitur reagime, pasi përmbajnë vargje që mund të lidhen me humbjen, mungesën dhe kujtimet e saj për Michael Jackson. Në njërën prej këngëve, Paris shpreh nevojën për një takim të shkurtër dhe një përqafim, ndërsa në tjetrën përshkruan një lidhje intime emocionale larg syve të publikut.
Në vargjet më të errëta, ajo duket se prek edhe presionin dhe mënyrën se si një person mund të konsumohet nga vëmendja publike, madje edhe pas vdekjes. “Edhe në vdekje, kur nuk ka mbetur asgjë”, këndon ajo, në një pjesë që është interpretuar si reflektim mbi përjetimet e të atit.
Pak javë më parë, Paris Jackson foli edhe në podcastin “Call Her Daddy” për vitet e para të jetës së saj pranë Michael Jackson. Ajo e përshkroi të atin si një njeri shumë gazmor dhe, në një moment emocional, e quajti “shokun e saj më të mirë”.
Michael Jackson ndërroi jetë në vitin 2009, kur Paris ishte vetëm 11 vjeçe. Përmes muzikës së saj të re, ajo duket se ka zgjedhur të ndajë një pjesë personale të ndjenjave të saj për dashurinë, humbjen dhe një raport që vazhdon të ketë kuptim të thellë për të.