Lifestyle

Romantic young couple, relationship breakup

Shtatë sfidat më të mëdha në lidhjet me diferencë të madhe moshe

Lidhjet romantike me diferencë të madhe moshe mund të funksionojnë dhe të jenë të qëndrueshme, por sipas një analize psikologjike të intervistave me çifte, ato përballen shpesh me disa sfida të veçanta.

Një ndër më të zakonshmet është komunikimi. Diferencat në mënyrën e të shprehurit, përdorimi i teknologjisë apo preferenca për mesazhe në vend të bisedave ballë për ballë mund të krijojnë keqkuptime.

Një tjetër aspekt lidhet me pjekurinë emocionale. Partneri më i ri mund ta vlerësojë qetësinë dhe përvojën e tjetrit, por në raste të caktuara diferencat në mënyrën e përballimit të emocioneve mund të sjellin tension.

Edhe balanca e pushtetit në çift mund të bëhet problem, sidomos kur partneri më i madh ka të ardhura më të larta ose merr shumicën e vendimeve. Kjo mund ta bëjë partnerin më të ri të ndihet i varur ose i anashkaluar.

Çiftet me diferencë të madhe moshe mund të kenë gjithashtu plane të ndryshme për të ardhmen. Njëri partner mund të dëshirojë të ndërtojë karrierën, të udhëtojë apo të krijojë familje, ndërsa tjetri mund të jetë në një fazë tjetër të jetës dhe të mendojë për stabilitetin ose pensionin.

Sfidë mund të përbëjnë edhe çështjet shëndetësore. Kur partneri më i madh ka probleme serioze shëndetësore, partneri tjetër mund të përballet me ngarkesë emocionale dhe fizike, sidomos nëse duhet të marrë përsipër kujdesin ndaj tij ose përgjegjësitë familjare.

Analiza ndalet edhe te stigma sociale. Shumë çifte përballen me thashetheme, gjykime apo mungesë miratimi nga rrethi i tyre. Kjo është veçanërisht e pranishme në rastet kur gruaja është më e madhe se partneri.

Sipas studiuesve, standardet e dyfishta gjinore vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën si perceptohen këto lidhje. Shoqëria priret ta pranojë më lehtë një çift ku burri është më i madh në moshë, ndërsa lidhjet ku gruaja është më e madhe shpesh përballen me më shumë paragjykime.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se diferenca në moshë nuk e përcakton vetë cilësinë e një marrëdhënieje. Komunikimi i hapur, respekti, pavarësia dhe objektivat e përbashkëta mbeten elementët më të rëndësishëm për një lidhje të shëndetshme.

 Burimi;https://www.psychologytoday.com/us/blog/the-asymmetric-brain/202609/the-7-biggest-challenges-in-age-gap-relationships
Foto; Freepik.com