Ndarja e zakonshme mes aftësive të kufizuara “të dukshme” dhe “të padukshme” nuk arrin të përshkruajë realitetin e përvojës së shumë personave. Një analizë e re e publikuar në Psychology Today propozon që aftësia e kufizuar të shihet si një spektri i vëzhgueshmërisë.
Sipas autores Kathleen Bogart dhe studiuesve Marine Granjon e Pauline Rasset, mënyra se si një aftësi e kufizuar vërehet nga të tjerët nuk varet vetëm nga gjendja shëndetësore. Ajo ndikohet nga personi, nga perceptimi i atij që e vëzhgon dhe nga konteksti ku ndodh ndërveprimi.
Për shembull, një person që përdor karrocë me rrota identifikohet më shpejt si person me aftësi të kufizuar, ndërsa një gjendje si epilepsia mund të mos jetë e dallueshme në shumicën e rasteve. Megjithatë, përdorimi i një qeni shërbimi ose i mjeteve ndihmëse mund ta bëjë këtë gjendje më të vëzhgueshme.
Studiuesit theksojnë se edhe ambienti luan rol. Një person që përdor karrocë me rrota mund të mos përballet me pengesa në një intervistë pune online, por aftësia e tij e kufizuar mund të bëhet shumë më e dukshme kur ai shkon në një hapësirë fizike pa akses të përshtatshëm.
Analiza vëren se niveli i vëzhgueshmërisë lidhet edhe me forma të ndryshme të diskriminimit. Personat me aftësi të kufizuara më të dukshme shpesh përballen me mëshirë, pritshmëri të ulëta dhe ndihmë të padëshiruar. Një studim i përmendur në analizë sugjeron se ata kanë gjashtë herë më shumë gjasa të marrin ndihmë të pa kërkuar sesa personat me aftësi të kufizuara më pak të dallueshme.
Ndërkohë, personat me gjendje që nuk vërehen lehtësisht mund të hasin mosbesim dhe dyshime. Ata mund të akuzohen se po e ekzagjerojnë ose po e “shtiren” gjendjen e tyre, për të përfituar nga sistemi. Sipas të dhënave të cituara, këta persona janë dy herë më të rrezikuar të përballen me akuza të tilla.
Një situatë e veçantë krijohet në “zonën e paqartësisë”, ku një gjendje mund të vërehet vetëm herë pas here. Narkolepsia është një shembull: një person që bie në gjumë në klasë mund të gjykohet gabimisht si i mërzitur ose dembel, në vend që sjellja të kuptohet si simptomë e një gjendjeje shëndetësore.
Sipas autores, ky spektri ndikon drejtpërdrejt edhe në aksesin ndaj përshtatjeve në shkollë dhe punë, në kujdesin shëndetësor dhe në mënyrën si njerëzit e ndërtojnë identitetin e tyre. Ata me aftësi të kufizuara më pak të dukshme mund të hasin vështirësi për të provuar nevojën për mbështetje, ndërsa ata me aftësi të kufizuara të dukshme mund të përballen me mbrojtje të tepërt ose supozime të gabuara për aftësitë e tyre.
Qasja e re synon të largojë vëmendjen nga pyetja nëse një aftësi e kufizuar “shihet” apo jo, duke e vendosur theksin te mënyra si ajo perceptohet dhe trajtohet në ndërveprimet shoqërore.
Burimi;https://www.psychologytoday.com/us/blog/disability-is-diversity/202609/beyond-the-visible-invisible-disability-binary
Foto; Freepik.com