ShowBiz

Albana Osmani flet për raportin me Arbana Osmanin: Nuk kemi qenë kurrë shoqe

Albana Osmani ka folur hapur për marrëdhënien e saj me moderatoren Arbana Osmani, duke sqaruar se mes tyre nuk ka pasur asnjëherë miqësi të ngushtë, por vetëm një raport kolegial.

E ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, Albana u pyet edhe për ngjashmërinë mes emrave të tyre, e cila ndër vite ka bërë që publiku t’i ngatërronte dy moderatoret.

Sipas saj, kjo situatë nuk e ka shqetësuar asnjëherë, pasi, përveç ndryshimit të vetëm të një shkronje në emër, ato dallojnë fizikisht. Megjithatë, rrugëtimet e tyre profesionale kanë pasur disa ngjashmëri, pasi të dyja kanë drejtuar formate të ngjashme televizive.

“Është thjesht një germë që na bën diferencën në emër, por fizikisht jemi të ndryshme. Rrugëtimi ynë ka pasur ngjashmëri në formatet që kemi prekur. Ndoshta kjo i bënte njerëzit më konfuzë”, u shpreh Albana.

Kur u pyet nëse Arbana bënte pjesë mes njerëzve me të cilët kishte pasur miqësi, moderatorja u përgjigj prerë se marrëdhënia e tyre kishte qenë gjithmonë profesionale.

“Nuk kemi pasur asnjëherë miqësi. Kemi qenë thjesht kolege dhe ‘ciao, bella’. Kaq”, deklaroi ajo.

Gjatë intervistës, Albana Osmani u ndal edhe tek audicioni për spektaklin e humorit “Portokalli”, ku në atë kohë ishte përzgjedhur Amarda Toska. Ajo tregoi se nuk ishte mërzitur nga vendimi, ndonëse në disa raste kishte besuar se ishte më e përshtatshme se koleget e tjera për një format të caktuar.

“Asnjëherë nuk jam mërzitur kur jam provuar për një program, por është zgjedhur dikush tjetër. Edhe në ato raste kam menduar se isha realisht më e mirë. Më falni për mungesën e modestisë”, përfundoi moderatorja.

Burimi;https://www.instagram.com/albanaosmani1/?hl=en

Foto; https://www.instagram.com/albanaosmani1/?hl=en