ShowBiz

Kënga nuk iu pranua në festival, Arta Bajrami flet për hatërmbetjen me Elhaida Danin

Arta Bajrami ka bërë një deklaratë të papritur për Festivalin e Këngës në RTSH, duke zbuluar se kënga me të cilën synonte të konkurronte nuk ishte pranuar.

E ftuar në emisionin “Artistët Shqiptarë”, këngëtarja e bëri publik për herë të parë këtë episod. Ajo pretendoi se vendimi mund të lidhet me një hatërmbetje të hershme mes saj dhe Elhaida Danit.

“Nuk ma kanë pranuar këngën dhe askush nuk e di këtë gjë. Sot po e tregoj te ti. E kam ditur që, kur është Elhaida, nuk ia pranon Arta Bajramit këngën. Ka mbetur një hatërmbetje prej atëherë, sepse këngën e kam pasur shumë të mirë”, u shpreh Bajrami.

Sipas Artës, historia mes tyre e ka zanafillën në vitin 2015, kur Elhaida Dani përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision. Këngëtarja tregoi se asokohe kishte bërë një kritikë ndaj saj dhe beson se ajo deklaratë mund të ketë ndikuar në raportin e tyre.

Pavarësisht zhgënjimit, Arta Bajrami nuk ka ndërmend të heqë dorë nga dëshira për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës. Ajo zbuloi se planifikon të provojë përsëri vitin e ardhshëm me një material të ri muzikor.

“Me një këngë timen, vitin e ardhshëm e kam plan të shkoj. Nëse është Elhaida sërish, ndoshta këtu nuk e sheh”, shtoi ajo.

Deklarata e këngëtares ka tërhequr vëmendjen e publikut, por pretendimi se mospranimi i këngës lidhet me hatërmbetjen mes tyre mbetet versioni i Arta Bajramit. Deri tani, Elhaida Dani nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre deklaratave.