Fituesi i “Big Brother VIP” pritet t’i bashkohet “Ferma VIP 3”, surpriza në Prime-n e tretë
Vetëm një javë pas startit të sezonit të tretë, “Ferma VIP” vazhdon të jetë një nga formatet më të komentuara në rrjet. Nën drejtimin e Arbana Osmanit, spektakli ka tërhequr vëmendjen e publikut për shkak të dinamikave të forta brenda shtëpisë, ku personazhe si Mimoza Ahmeti janë bërë shpesh virale.
Por duket se surprizat nuk mbarojnë këtu. Sipas burimeve jozyrtare, në Prime-n e tretë pritet një hyrje e bujshme që mund të ndryshojë rrjedhën e lojës. Emri më i përfolur është ai i Ilir Shaqirit, fitues i edicionit të parë të “Big Brother VIP Albania”.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë hyrje, por thuhet se oferta financiare e produksionit mund të ketë ndikuar në vendimin e tij për t’iu bashkuar një tjetër formati reality.
Ndërkohë, në qarkullim është edhe emri i Ermiona Lekbellos, një tjetër figurë e njohur për publikun nga spektaklet e mëparshme. Nëse këto hyrje realizohen, pritet që loja të marrë një kthesë të fortë, duke sjellë përplasje, strategji të reja dhe rivalitete të hapura.
Publiku mbetet në pritje të Prime-it të kësaj mbrëmjeje, që nis në orën 21:00, ku pritet të zbulohet nëse këto zëra do të bëhen realitet.