“Njerëzit në të vërtetë nuk më njohin.” Këto janë fjalët që Marilyn Monroe do të linte pas në një nga intervistat e saj të fundit për Life Magazine, vetëm pak ditë para ndarjes tragjike nga jeta në gusht të vitit 1962.
Ikona e Hollivudit, e lindur me emrin Norma Jeane Baker, foli hapur për barrën e famës dhe mënyrën sesi publiku e kishte kthyer në një simbol seksi, ndërsa ajo kërkonte të shihej përtej imazhit.
“Ky është problemi — një simbol seksi bëhet një ‘gjë’. Unë e urrej të jem një ‘gjë’”, shprehej Monroe në intervistën që sot konsiderohet një nga rrëfimet më të ndjera të saj.
Pas buzëqeshjes ikonike dhe suksesit marramendës fshihej një histori e dhimbshme. Marilyn kaloi një fëmijëri të vështirë mes jetimoreve dhe familjeve kujdestare, derisa u zbulua në moshën 18-vjeçare dhe nisi rrugëtimin drejt famës botërore.
Ajo tregonte se dashuria për aktrimin kishte lindur shumë herët:
“Kur isha 5 vjeç, mund të rrija me orë të tëra në kinema.”
Në intervistë, aktorja legjendare foli edhe për famën, të cilën e krahasoi me “kavjarin” — diçka e mirë, por e lodhshme kur bëhet pjesë e përditshmërisë.
Ndër momentet më ikonike të karrierës së saj mbetet performanca e famshme e këngës “Happy Birthday, Mr. President” për John F. Kennedy në vitin 1962, një moment që vulosi statusin e saj si simbol kulturor.
Megjithatë, Monroe rrëfeu edhe zhgënjimet në industrinë e filmit, ku shpesh nuk ndihej e respektuar si artiste, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm. Ajo foli hapur për martesat, vetminë dhe dëshirën për të krijuar një familje të lumtur — një ëndërr që nuk arriti ta jetonte plotësisht.
Intervista u publikua më 3 gusht 1962. Vetëm dy ditë më vonë, Marilyn Monroe u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Los Angeles nga mbidoza e barbiturateve. Rasti u cilësua si vetëvrasje e mundshme, por edhe sot mbetet i mbuluar me mister.
Sipas Life Magazine, kjo intervistë mbetet një nga dëshmitë më personale të aktores për betejën e saj me famën dhe identitetin.
Burimi; https://www.instagram.com/marilynsglow/
Foto; https://www.instagram.com/marilynsglow/