Pas eliminimit nga “Ferma VIP 3”, Fabjola Elezaj, e njohur ndryshe si Ola, ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale, duke ndarë me ndjekësit një gjendje të rënduar emocionale dhe reflektuese.
Largimi i saj nga reality show erdhi pas vendimit të produksionit për të hapur një televotim, si pasojë e gjuhës së rëndë fyese që ajo përdori gjatë “Prime”-it të javës së kaluar. Publiku vendosi që rrugëtimi i saj në fermë të përfundonte të premten.
Mbrëmjen e djeshme, Ola ka thyer heshtjen përmes disa postimeve në “Instagram”, ku publikoi fragmente nga kënga “Nuk po ec” e Yll Limanit. Vargje si: “Prap i hupa krejt çka pata”, “Nuk po ec, nuk po ec” dhe “Po du mu kthy kur u kon’ mirë”, u interpretuan nga ndjekësit si një mesazh i drejtpërdrejtë për situatën që ajo po kalon.
Postimet e saj lënë të kuptohet se ish-konkurrentja po përjeton një periudhë të vështirë emocionale dhe po reflekton mbi veprimet që i kushtuan eliminimin nga spektakli.
Menjëherë pas daljes nga “Ferma VIP”, Fabjola u shfaq mjaft e prekur, duke pranuar publikisht gabimin e bërë dhe duke e cilësuar vendimin e publikut si të drejtë.
Megjithatë, ajo tregoi se shqetësimi më i madh për të mbetet reagimi i familjes së saj, të cilën e ka konsideruar gjithmonë pikën më të ndjeshme në jetën personale.
Përmes reagimeve të fundit në rrjetet sociale, Ola duket se po kërkon mirëkuptim nga publiku, ndërsa përballet me pasojat e sjelljes së saj brenda fermës.