Bashkëshorti i fermeres Sara Karaj, pedagogu Darti Malaj, ka folur për herë të parë lidhur me eksperiencën e partneres së tij në “Ferma VIP”, duke ndarë edhe shqetësimin për bullizmin dhe komentet fyese që ajo ka marrë në rrjetet sociale.
I ftuar në emisionin “Living Day” në Vizion Plus, Malaj u shpreh se Sara ka arritur të ruajë karakterin e saj brenda lojës, ndërsa protagonizmi, sipas tij, është pjesë e natyrshme e personalitetit të saj.
“Ne kemi biseduar edhe për mënyrën se si ajo do të luante. Kërkesa për protagonizëm është diçka që ajo e ka vetë dhe e shfaq natyrshëm. Por nga fermerët e tjerë kjo gjë nuk pëlqehet shumë”, u shpreh ai.
Darti Malaj ndau gjithashtu një mesazh të fortë për komentuesit në rrjet, duke thënë se familjarët po e përjetojnë rëndë situatën.
“Familjarët e mi dhe të Sarës po e përjetojnë keq. Ata që janë pas tastierës duhet ta mendojnë se nesër do të jenë vetë prindër. Pse duhet të mbajmë statusin si një nga vendet me bullizmin më të lartë online?”, tha ai.
Ai foli edhe për komentet që janë bërë ndaj pamjes fizike të Sarës, duke i cilësuar si të padrejta dhe të rënda emocionalisht.
“Unë e di sa shumë e ka vuajtur. Është një reflektim i vuajtjeve të saj në përditshmëri, si fizikisht ashtu edhe online. Është turpërim i trupit. Faktohet që është kritikuar pse ha shumë, pse nuk arriti të dobësohej pas shtatzënisë. Ishte skandaloze të shihje komente nga gra dhe nëna që komentonin trupin e saj”, deklaroi Malaj.
Ai përmendi edhe debatet mes fermerëve, duke thënë se një pjesë e komenteve ndaj Sarës kanë ardhur edhe nga brenda fermës.
“Moza e ka në karakter të saj që komenton pamjen. I ka thënë Sarës: ‘pufkë, faqe petull’. Pra është një individ që komenton shumë pamjen”, përfundoi ai.