ShowBiz

“Ka cenuar frymën e formatit”, Agai ndëshkon Mozën dhe Zhakun me izolim

Tensionet në “Ferma VIP” kanë arritur kulmin, ndërsa produksioni ka marrë masa të forta disiplinore ndaj dy fermereve, Mimoza Ahmeti dhe Zhaku. Pas penalizimit të Ilir Shaqirit, një tjetër vendim i rëndësishëm është komunikuar gjatë spektaklit të fundit.

Moderatorja Arbana Osmani lexoi zarfin e ardhur nga Agai, ku njoftohej izolimi i menjëhershëm i Mozës dhe Zhakut në ambientet e “fakirit”. Sipas produksionit, dy konkurrentet kanë refuzuar vazhdimisht të marrin pjesë në sfidat dhe detyrat e përcaktuara, duke shkelur kështu rregullat bazë të formatit dhe duke cenuar frymën e lojës.

Në njoftim u theksua se sfidat dhe angazhimet në fermë nuk janë zgjedhje personale, por pjesë e detyrueshme e eksperiencës së çdo konkurrenti.

Si pasojë e vendimit, Moza dhe Zhaku do të qëndrojnë të izoluara deri të premten, pa kontakt me fermerët e tjerë, përveç rasteve të domosdoshme gjatë sfidave të caktuara nga Agai. Për më tepër, produksioni ka vendosur rregulla edhe më të rrepta gjatë periudhës së izolimit.

Paralajmërimi i Agait ka qenë i prerë edhe për banorët e tjerë të fermës. Çdo fermer që do të komunikojë me dy konkurrentet jashtë rregullave të përcaktuara, rrezikon përjashtimin nga gara.

Vendimi ka sjellë reagime të shumta në rrjet dhe mes ndjekësve të formatit, të cilët po komentojnë gjerësisht ndikimin që kjo masë pritet të ketë në marrëdhëniet dhe dinamikat e lojës në ditët në vijim.