ShowBiz

Soni Malaj zbulon pse u nda nga Flori Mumajesi: Presioni mediatik ishte shkaku kryesor

Soni Malaj ka folur hapur për një nga kapitujt më të komentuar të jetës së saj personale, lidhjen me Flori Mumajesin, duke zbuluar se presioni i madh mediatik ishte arsyeja kryesore që çoi në ndarjen e tyre.

Gjatë një bisede në “Ferma VIP”, këngëtarja kujtoi periudhën kur ajo dhe Flori ishin të fejuar, duke treguar se vëmendja e vazhdueshme e mediave dhe publikut ndikonte ndjeshëm në marrëdhënien e tyre.

Sipas saj, kurioziteti i madh për jetën private i shtyu madje të sajonin një ndarje, të cilën ua komunikuan edhe familjarëve, në përpjekje për të shmangur ekspozimin e vazhdueshëm. Megjithatë, plani nuk funksionoi, pasi një fotografi e tyre së bashku pas një udhëtimi u publikua menjëherë në media.

“Bëmë një ndarje gjoja, por dikush na fotografoi duke dalë nga avioni dhe lajmi u përhap menjëherë. Kudo që shkonim, njerëzit na shikonin dhe flisnin për ne”, rrëfeu Soni.

Artistja tregoi se në atë periudhë, kur portalet online nuk kishin pushtetin që kanë sot, çdo lajm për ta publikohej në gazeta dhe ndiqej me shumë interes nga publiku.

Duke reflektuar mbi fundin e marrëdhënies së tyre, Soni Malaj u shpreh se, pas shumë vitesh, të dy kanë arritur në përfundimin se presioni i madh mediatik ishte faktori kryesor që ndikoi në ndarjen e tyre.

“Kur e kemi ridiskutuar më vonë, kuptuam se arsyeja kryesore pse u ndamë ishte pikërisht ky presion. Nuk dinim si ta menaxhonim”, tha ajo.

Soni Malaj dhe Flori Mumajesi kanë qenë në një lidhje nga viti 2005 deri në vitin 2009, një periudhë që asokohe tërhoqi vëmendje të madhe mediatike dhe mbetet ende një nga historitë më të komentuara të showbiz-it shqiptar.

Burimi: https://www.instagram.com/soni_malaj/?hl=en

Foto;https://www.instagram.com/soni_malaj/?hl=en